Kulturë

Koleksioni i veprave të hotel “Grandit” pritet të bartet në Galeri

Descriptive Text

Janë 121 vepra të evidentuara në ambientet e ndërtesës së hotelit “Grand”, të cilat brenda disa ditëve planifikohet të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka miratuar kërkesën e tyre që këto vepra të artit të vendosen në ambiente apo institucione shtetërore të kulturës e artit.

Veprat që cilësohen të jenë pjesë e imazhit të artit modern në Kosovë, para gati katër dekadave ishin vendosur në hapësirat e hotelit, që aso kohe priste delegacionet e nivelit më të lartë që vizitonin Kosovën. Procesi i zhvendosjes së tyre, që ka nisur para pesë vjetësh pritet të marrë epilog këto ditë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas kërkesës së MKRS-së, e bërë më 21 gusht të këtij viti, Departamenti i Kulturës në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke qenë në dijeni se në ambientet e hotelit, që është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndodhen një numër i konsiderueshëm i veprave të artit të disa nga artistëve më të mirë vendorë dhe bazuar në vlerat e tyre, ka kërkuar të lejohet bartja e tyre në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat, midis të cilave edhe “Pritja” e skulptorit me nam Agim Çavdarsha, do të zënë hapësirë në institucionin më të lartë të artit pamor në vend.

“Këto vepra janë ndër veprat më të mira të kohës dhe janë pjesë e pashlyeshme e historisë së artit bashkëkohor të Kosovës, andaj ne si Ministri përgjegjëse për ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës e konsiderojmë tejet të rëndësishme të bëjmë vendosjen e këtyre veprave të artit në ambientet shtetërore të kulturës e artit...”, shkruhet në kërkesën e MKRS-së për AKP-në.

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, ka thënë se AKP-ja e ka miratuar këtë kërkesë dhe se pranim-dorëzimi i këtyre veprave në GKK është çështje ditësh.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)