Kulturë

Kavanozat ku konservohen recetat tradicionale

Ka renditur me kujdes kavanozat e turshive që i ka prodhuar vetë, në njërin prej shtandeve të “Tregut mobil”, në zemër të sheshit “Adem Jashari” në Prishtinë. Është herët dhe ende nuk ka shitur gjë, shkruan sot Koha Ditore.

Pasi e kupton qëllimin e ndaljes para tezgës së saj, Shehide Restelica “dëshpërimin” që s’po bëhet fjalë për myshteri e shpreh me buzëqeshje.

“Eh, kishe po do me ble diçka, se s’kam bë sefte sot”, thotë ajo, që zgjat dorën për një përshëndetje më miqësore. Merr premtimin se të paktën një kavanoz me ajvar e ka të shitur në fund të bisedës.

E biseda zhvillohet pothuajse e papenguar. Ka katër vjet që ajo ka nisur të shesë produktet e saj, por turshitë i ka traditë të mësuar nga nëna.

Ndalet edhe te reçelet e veçanta që i bën me të njëjtin kujdes. Flet me pasion për to. Për vajzat e reja ka një këshillë. Është e gatshme që t’u tregojë se si bëhen turshitë, e si mund të fitojnë vetë paranë e tyre.

“S’ka më mirë për një grua sesa të fitojë vetë dinarin e vet”, thotë ajo.

Ajvari në rend të parë

Bisedën për “Kohën Ditore”, Shehide Restelica e nis me idenë që dijen e saj për turshitë ta kthejë në biznes.

“E kam nisur me pak. Por duke i përcjellë mediat, e duke parë, jam informu se qysh e tek me ia bo. Tash është viti i katërt që dal këtu. Merrna kryesisht me ajvar, me çdo lloj turshie që ekziston”, thotë ajo.

Në tre vjetët e parë ajo thotë se ka punuar shumë mirë, por këtë vit e vëren një rënie.

“Edhe jemi bërë shumë, edhe shumë njerëz kanë emigru. Kam pasë myshteri që ka marrë 50, 70 deri në 100 kavanoza me ajvar, tash kanë mbetë veç burri e gruaja ndoshta, vijnë e marrin nga një, çdo javë”, ankohet ajo.

(Artikullin e plotë mund ta gjeni sot në gazetën “Koha Ditore”)