Kulturë

Libri që hap horizonte – pikëtakimi i botueses e kantautorit

Descriptive Text

Diskutimi për librin, dashurinë ndaj tij e ndikimin në jetë a profesion, ka bërë bashkë kantautorin Genc Salihu dhe botuesen Arlinda Dudaj. Ata janë miq dhe pikërisht libri qe bërë sebep që të njihen. Në majin e vitit 2017, shtëpia botuese në Shqipëri, “Dudaj” kishte botuar librin “Plane për jetë” të Salihut. Pas dy vjetësh, të enjten në librarinë “Dukagjini”, Salihu e Dudaj kanë diskutuar për këtë libër, por edhe për letërsinë e ndikimin e saj, shkruan sot Koha Ditore.

Genc Salihu, i cili është i njohur për muzikën e tij, ka thënë se pikërisht letërsia e ka shtyrë drejt këngës. Siç ka thënë ai, po të mos ishte letërsia, do të ishte bërë një pianist apo kompozitor a diçka e ngjashme.

“Mirëpo pikërisht leximi dhe letërsia janë ato që më kanë shtyrë drejt këngës”, ka thënë ai. Ka kujtuar se fillimisht si fëmijë kishte dashur që të bëhej shkrimtar. Siç ka thënë ai, këtu kishte ndikuar edhe fakti se ishte rritur në një shtëpi me plot libra. Gjyshi i tij kishte një alamet biblioteke. Një ditë kishte parë një libër të madh e aty ishte edhe portreti i autorit. Bëhej fjalë për një shkrimtar rus.

“Në atë moment kam dashur që të bëhem shkrimtar e të jem një njeri që njerëzit e marrin seriozisht”, ka thënë ai. Babai i tij do t’ia blinte një kitarë lodër. Më pas njohu grupin “The Beatles”, që shënoi kthesë në përcaktimin e tij. Kur ka biseduar për këtë kohë, ka treguar se atëherë ishte 7 apo 8 vjeç.

“E kam ditur që edhe ajo që po më pëlqen te letërsia është diqysh e inkuadruar në muzikë, e qëndisur brenda dhe me shumë pasion i kam studiuar ‘The Beatles’ derisa jam profesionalizuar si muzikant, nëse mund të them”, ka kujtuar Salihu. Ka potencuar se dëshiron ta quajë veten kantautor, ani pse ka shumë gjëra që i bën: luan në kitarë, shkruan poezi, kompozon e aranzhon këngë. Por, sipas tij, e vetmja gjë që i intereson më shumë është të shkruajë, të krijojë këngë.