Ruajtja e kujtesës mbi luftën në Kosovë – e papërkrahur nga shteti

Ruajtja e kujtesës mbi luftën në Kosovë – e papërkrahur nga shteti

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 22 November 2019 10:25

Prishtinë, 22 nëntor – Turizëm i errët, një term që më shumë ngre pikëpyetje sesa që përfton një ndjesi tronditjeje. Një vizitë në “Ground Zero”, ku dikur ishin kullat binjake në New York, një kundrim skaj binarëve të trenit që çonte hebrenjtë drejt dhomave të gazit në Auschwitz apo një ecje nëpër mjediset e brendshme të kishës Ntarama në Rwanda, shpesh mund të përftojnë pyetje për historinë e fateve njerëzore që ndryhen brenda këtyre memorialëve. Dhe përgjigjet priren të jenë më komplekse sesa që mund të paramendohet.

Kështu, koncepti i turizmit të errët merr shpjegimin e një vendi që përçon dhembje në sensin jofizik. Prekazi, Meja, Krusha e Madhe dhe e Vogël, Reçaku, Izbica e vende të tjera në Kosovë, në të cilat ndodhen ploja të tmerrshme, mund të shihen edhe si një lloj trashëgimie.

Një antropologe tashmë ka krijuar edhe termin për këtë. E ka quajtur “trashëgimi atrocitare”.

Doktorante në Degën e Arkeologjisë në Universitetin e Cambridgeit, Nora Visoka-Weller ka shpalosur gjetjet e hulumtimit të saj mbi trashëgiminë e errët, varrezat masive dhe mbetjet njerëzore nga masakrat kundrejt trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të Seminarit të Antropologjisë, të organizuar nga Departamenti i Antropologjisë pranë Fakultetit Filozofik, të enjten Visoka-Weller ka mbajtur një ligjëratë mbi hulumtimin e saj “Trashëgimia atrocitare dhe statusi i të masakruarve: rasti i Kosovës 1998-1999”.

Shkas për këtë hulumtim ishte bërë studimi i një profesoreshe sllovene, e cila teksa kishte trajtuar mizoritë e ndodhura në hapësirat e ish-Jugosllavisë, nuk e kishte trajtuar fare Kosovën.

Pasi ka lexuar një biografi të përmbledhur të ligjërueses, profesori i antropologjisë, Arsim Canolli, ka thënë se hulumtimi i Wellerit paraqet një qasje të re mbi çështjen e memorializimit të eshtrave dhe varreve të të vrarëve në luftën e fundit.

Ndër përfundimet e hulumtimit është vlerësuar se krijimi i trashëgimisë në Kosovë ka ndodhur efektivisht vetëm përmes aktivizmit individual, përmes ruajtjes së kujtesës në formë të shtëpive-muze, ekspozitave dhe ruajtjes së objekteve e artefakteve.

Nora Visoka-Weller një kohë ka punuar si hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Transicionale, në Afrikën e Jugut.

Në angazhimet e saj përfshihet edhe puna si këshilltare e Kombeve të Bashkuara mbi kontrollin e armëve dhe zhvillimin shoqëror në vendet postkonfliktuale në Shqipëri, Qipro, Lindje të Mesme dhe disa pjesë të Afrikës Jugore.

Visoka - Weller ka kryer studimet për drejtësi në kolegjin “Lucy Cavendish”, në Universitetin e Cambridgeit, trashëgiminë arkeologjike dhe muzetë në “Selwyn College”, Universitetin e Cambridgeit, transformimin e konflikteve në Vermont (SHBA). Specializimi i saj ligjor është në ligjet mbi artin nga Instituti Sotheby’s në Los Angeles.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme