Kulturë

Ministria s’e pranon që s’ka lokacion për teatër të operës

Prishtinë, 22 nëntor – Qysh prej ditës së 11-të të këtij muaji Komuna e Prishtinës ia ka bërë me dije Ministrisë së Kulturës se për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” nuk mund të llogarisë në hapësirën afër Fakultetit Teknik.

Pos nëpërmjet një deklarate të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shpalosur edhe drafti i “Planit rregullues të hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen ‘Bregu i Diellit’” që është punuar nga universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Por pavarësisht këtyre rrethanave, Ministria e Kulturës është duke vazhduar punën për përzgjedhjen e projektit ideor për teatrin e operës dhe baletit. Për MKRS-në lokacioni vazhdon të mbetet i njëjti.

MKRS-ja është në prag të një dështimi të radhës sa i përket projektit për këtë objekt. I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, i nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann, ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.

Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar rreth 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit në vitin 2009 dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, para një viti, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve. Ministria e Kulturës vazhdimisht ka qenë e mbyllur sa i përket projektit të ri.

“Së shpejti do të dalim me të gjitha komunikatat pas kalimit të afateve të dispozitave ligjore të prokurimit”, ka thënë Sebahate Boshnjaku.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)