Kulturë

U përkujtua Imzot Pjetër Bogdani, pararendësi i Rilindjes Kombëtare

Në 330- vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit, në Tiranë u organizua simpoziumi shkencor “Përmasa europiane e Pjetër Bogdanit”.

Akademia e Studimeve Albanologjike përmes personaliteteve të letrave shqipe solli në vëmendje edhe njëherë pas 3 shekujsh kontributin e vyer të një prej klerikëve që identitetin kombëtar e vuri mbi fenë dhe çdo tjetër që i përkiste atij.

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, atdhetare e politike 40 vjeçare, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare.

Më 6 dhjetor 1689 Pjetër Bogdani ndërroi jetë në Prishtinë nga epidemia e murtajës. Ai është një personaliteti i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare. Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve/RTSH.