Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999

Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999

19 November 2019 13:30

Monografia ‘Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999’ e botuar në gjuhën shqipe dhe anglishte nga “Radio Kosova e Lirë”, f. 293, jep shënime të sakta për fëmijët “martirë të Kosovës”, në mjaft raste edhe fotografi, si dokumentim shtesë, bindës, tronditës, dramatik, histori e shkruar me gjakun e pafajshëm të tyre, mbi të gjitha e vulosur me pafajësi, dashuri dhe porosi.

Gjatë shfletimit, leximit dhe meditimit të dorëshkrimit të autorëve Hanëmshahe Ilazit dhe Nusret Pllana, ‘Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999’, shpesh, mos të them gjithnjë, mu kanë terruar sytë, nga emocioni dhe lotët, më është tronditur zemra, nga dhembja dhe përjetimi, më janë shtangur gjymtyrët, nga tmerri dhe ethet, më është bllokuar mendja, nga faktet dhe ngjarjet kaq makabre! Të pabesueshme, sa i përket të keqes ndaj moshës së njomë, të pambrojtur dhe të pafajshëm, aq sa më dukej se po i shoh fytyrat dhe gjymtyrët e tyre të përgjakura, të gjuajtura andej-këndej. Më dukej se po dëgjoja vajin e tyre pa zë, si një lloj kori engjëllor, që pyesin: Çka po ndodhë me ne, që domethënë me ju? Përse na keni lindur, ndoshta vetëm për t’na vrarë, poshtërsuar, shfarosur, për t’i përgjakur duart dhe ndërgjegjen tuaj me gjakun tonë? A s’keni “kënaqësi” të tjera përveç të na vrisni?

Dhe më ra në mend një ngjarje e ngjashme biblike, kur Faraoni kishte urdhëruar që të vriteshin fëmijët meshkuj hebre, për ta ndaluar dhe pakësuar rritjen dhe shumëzimin e këtij populli (Khs. Dal 5, 5).

Mirëpo, këto qëndrime dhe synime djallëzore ishin të kota!

Po ashtu, e kujtova edhe historinë biblike të Herodit, kur hetoi se Dijetarët nuk ktheheshin më prej Betlehemit për ta lajmëruar për lindjen e Jezusit. I zemruar për së tepërmi, kishte dhënë një urdhër apsurd: që të vriteshin fëmijtë meshkuj që ishin në Betlehem dhe në rrethinë, dy vjeç e poshtë, sipas kohës që më kujdes e kishte hetuar nga Dijetarët.

Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:

“U dëgjua një klithmë në Ramë,

Vajë e gjamë e madhe:

Vajton Rakela fëmijët e vet

E nuk do të pajtohet – sepse nuk i ka më” (Mt 2, 16-18).

Përse e bëri këtë masakër të fëmijëve Herodi? Sepse frikësohej se Jezu Krishti kishte lindur në Betlehem dhe kishte ardhur për t’ia marrë pushtetin tokësor, sundimin mbi popullin hebre. Karrierizmi i stërtepruar, etja për pushtet, ndërgjegjia e ngarkuar dhe e zhytur në të liga, frika nga e Vërteta dhe Jeta, e kishin shryrë deri të kjo skajshmëri dhe djallëzi.

Këta fëmijë të pafajshëm Kisha Katolike i trajton dhe iu lutet si “Martirët e Pafajshëm” për çdo vit më 28 dhjetor, qysh nga viti 505 pas Krishtit. Ndoshta një gjë të ngjajshme do të duhej ta bënim edhe ne, që një ditë në vit, t’i përkujtojmë fëmijtë tanë të pafajshëm, që me gjakun e tyre shkruan një histori të lavdishme, për ne, të tmerrshme dhe makabre, për ata që i masakruan.

Ata janë dëshmorë – pa fjalë, por me gjak;

Martirë të pafajshëm, sepse pësuan kaq shumë dhe keq;

Fëmijë të pambrojtur, trinomi që mund të lidhet dhe kuptohet vetëm me mendjen e tronditur dhe zemrën e djallëzuar, tek njerëzit që tashmë janë në ndikimin dhe “frymëzimin” e së keqes, urrejtjes, mërisë dhe vdekjes, krijues për të keqe, jetojnë dhe veprojnë, garojnë vetëm keq, zi e më zi!

Të pafajshëm, domethënë të parrezikshëm, të pambrojtur, të dobët, të padhunshëm, në procesin e rritjes, që shënon dhe simbolizon drejtësinë, pastërtinë, mungesën e çfarëdo përgjegjësie, virgjërinë shpirtërore dhe brishtësinë.

Të martirizuar, do të thotë, dëshmorë dhe dëshmitarë të diçkaje që ne na duket e pabesueshme, gati edhe e pamundshme, vdekje për ide dhe ideale më të larta të jetës, të lirisë që nuk i kanë njohur dhe shijuar, të kohës dhe rrethanave të cilat si rrebeshi, tërmeti, zjarri, vërshima nuk njohin dhe nuk kursejnë askënd dhe asgjë.

Historia jonë i përngjanë histrorisë biblike, vrasjes së Fëmijëve të Pafajshëm nga ana e Herodit, që vdiqën vetëm pse ai tashmë kishte humbur arsyen dhe zemrën, ishte çmendur nga frika e humbjes së pushtetit.

Ashtu edhe fëmijët tanë qenë masakruar vetëm pse kishin dy “faje” jetësore: sepse ishin gjallë dhe ishin shqiptarë!

Kjo histori e shkruar me gjakun e tyre të njomë dhe të pafajshëm gjithnjë qorton, bërtet, thërret, pret një përgjigje, e cila, ndoshta kurrë s’do të arrijë nga askush, as prej nesh, edhe më pak prej atyre që zbatuan këtë “plan” djallëzor!

Dikush tha cili është çmimi i lirisë? Tjetri u përgjigj: Jeta, gjaku, dashuria.

Fëmijët tanë të vrarë, të dhunuar, të zhdukur dhe të masakruar janë pa dyshim pasqyra më e mirë e çmimit të lirisë dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Haku i tyre do të peshojë gjatë në supat dhe kokat e kriminelëve, të atyre që ua mundësuan, apo edhe u urdhëruan që t’i bënin këto krime!

Mirëpo, gjaku i tyre mund të na bie kokës edhe neve, nëse nuk dimë t’i çmojmë, t’i nderojmë, ta kryejmë dhe zbatojmë porosinë dhe testamentin e tyre të shkruar me gjak, të vulosur me vdekje, të dërdhur me pafajësi dhe me dashuri. Kujtimi i tyre për ne është i domosdoshëm, porosia e tyre e shenjtë, familjarët e tyre, sidomos nënat, janë heroinat e ditëve tona, të cilat meritojnë kujtimin, nderimin, falënderimin, mbi të gjitha, kujdesin dhe dashurinë tonë të përjetshme.

Porosia e këtyre ngjarjeve trishtuese, duhet të na zgjojë nga kllapia, mos të them “koma” e indiferentizmit, lakmisë, karrierizmit, “partitizmit”, që mund të na kushtojë shumë, pasi pas harresës, vjen pakujdesia, e cila mund të jetë e kobshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Përfitime të asnjë lloji s’ka me gjakun e “fëmijëve martirë të Kosovës” 1981-1999.

Kjo ngjarje shumë e dhimbshme dhe vërtet tragjike, le të kujtohet dhe kurrë mos të harrohet, edhe më tepër, kurrë dhe askund më mos të përsëritet! Amen.

(Fjala e Don Lush Gjergjit nga promovimi i librit “Hanëmshahe Ilazi Nusret Pllana, Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999” , Prishtinë, 19 nëntor 2019) /drita.info

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme