Kulturë

Orkestra e Filarmonisë dëshmon nivelin e lartë së bashku me “KamerFestin”

Foto: Arben Llapashtica

Nga muzika kamertale, orkestra e Filarmonisë së Kosovës të shtunën ka kaluar në një kontrast, te “Zogu i zjarrtë - Suita 1919” e Stravinskyt.

Vepra e këtij të fundit e solli Filarmoninë në nivelin më të mirë. Koncerti theksoi zhvillimin që ka pasur Filarmonia gjatë 20 vjetëve, por edhe kontributin e dy artistëve që ishin pjesë e saj që në hapat e parë, violinistes Sihana Badivuku dhe violistit Blerim Grubi, shkruan sot “Koha Ditore”. Kështu u vlerësua koncerti i cili u dirigjua nga amerikani Gregory Charette e që përmbylli edicionin e 20-të të muzikës kamertale “KamerFest”, i cili filloi më 17 shtator.

Kontrasti, por edhe lidhshmëria në mes të dy pjesëve të koncertit ishin ato që i lanë mbresa publikut. Koncerti i së shtunës mbrëma filloi me “Koncert për violë në C – mol” nga J. C. Bach dhe H. Casadesus, solistë, ishte Blerim Grubi në violë. Në vitin 1989 Grubi kishte mbajtur koncertin e tij të parë, prandaj ky koncert shënoi edhe 30-vjetorin e karrierës së tij.

“Jam njëri nga themeluesit e kësaj orkestre. Për një kohë nuk kam luajtur me Orkestrën e Filarmonisë, pasi që lëmë hapësirë për të rinjtë për të luajtur, por sonte ishte një mbrëmje e posaçme dhe e veçantë me kolegen time të luftës e të artit, pra me Sihanën, me të cilën jemi së bashku qe 30 vjet dhe luftojmë së bashku për çdo gjë sa i takon artit dhe kulturës këtu të ne, në Kosovë dhe Maqedoni”, ka thënë ai. Grubi është treguar kritik ndaj kushteve ku performoi veprën për violë dhe orkestër të Bach dhe Casadesus, por edhe atë për violë, violinë dhe orkestër, “Simfonia Koncertante në Es-dur” të Mozartit.

“Orkestra nuk ndien kënaqësi në këtë sallë, kjo nuk është sallë, është korridor dhe bëj apel që sa më shpejt të bëhet diçka në këtë drejtim”, ka thënë ai pas interpretimit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)