“Ulpiana”, stacioni i radhës i minibibliotekës

“Ulpiana”, stacioni i radhës i minibibliotekës

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 16 November 2019 14:31

“Ulpiana”, është lagjja e radhës e kryeqytetit që është bërë me minibibliotekë. Në parkun e vogël, pak metra larg fontanës, ajo është përuruar të premten. Është e dyta në Prishtinë, pas asaj në lagjen “Dardania”, e përuruar dhjetë ditë më parë.

E lyer me të zeza, kioska e cila përmban rreth 100 libra gërshetohet shumë bukur me ngjyrat e pishave përreth. Aty ka tituj për të rritur, por edhe për fëmijë. Edhe kjo ka të njëjtin qëllim: që njerëzit që kalojnë kohë në këtë park t’i marrin librat nga kjo bibliotekë e t’i lexojnë gjatë kohës sa janë duke qëndruar aty. Por edhe që të njëjtit të marrin një libër nga minibiblioteka dhe ta bëjnë të tyrin me kusht që të dhurojnë një tjetër.

Kjo është bërë në mënyrë që minibiblioteka të ketë libra dhe tituj të ndryshëm gjatë gjithë kohës. Synimi i gjithë kësaj pune është që të nxitet leximi. Për rehatinë e lexuesve potencialë, kjo minibibliotekë ka edhe disa jastëk që lexuesit mund t’i përdorin. Nëpër kryeqytet do të vendosen edhe dhjetë minibiblioteka të tilla. Këtë projekt është duke e implementuar organizata joqeveritare “ETEA”, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i kësaj organizate, Agon Ahmeti, ka thënë se shpreson që do të respektohet rregullorja e minibibliotekave, e cila parasheh që librat për të rritur të shkëmbehen me libra për të rritur dhe ata për fëmijë me libra për atë moshë, në mënyrë që të mos ketë mungesë të asnjërës prej këtyre kategorive. Sipas tij, ideja e minibibliotekave është duke shkuar mirë dhe ai shpreson që suksesin e asaj në “Dardani” ta ketë edhe minibiblioteka e “Ulpianës”.

“Përveç një eksesi në fillim që është sulmuar me vezë, arsyet dhe motivet e së cilës nuk i dimë. Besojmë që kanë qenë disa fëmijë. Tashmë në ‘Dardani’ minibiblioteka po funksionon shumë mirë. Qytetarët po lexojnë libra, po shkëmbejnë libra, po kujdesën për atë minibibliotekë dhe jemi shumë të kënaqur. Shpresoj që në këtë mënyrë të funksionojë edhe në lagjet e tjera”, ka thënë ai. Gjuajtja me vezë e minibibliotekës në “Dardani” ndodhi pa u bërë 24 orë prej inaugurimit.

Por Ahmeti ka treguar se në atë lagje minibiblioteka është kthyer në përditshmëri dhe përveçqë titujt e librave po ndryshojnë, po ashtu ka thënë se numri i librave po rritet. Rritja e numrit të titujve, sipas tij, po vjen si rezultat i asaj që qytetarët po dhurojnë libra dhe nuk marrin një tjetër si shkëmbim duke e pasuruar më shumë atë.

“Besojmë që ditët e para janë pak rrezik derisa këto minibiblioteka të adaptohen në komunitet dhe pastaj ato bëhen përditshmëri e qytetarëve, të cilët kanë qenë kontributdhënës, dhe një prej arsyeve që kemi kërkuar që qytetarët të jenë pjesë ka qenë që pikërisht bashkëpronësia të jetë më reale”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, planet për minibiblioteka të tilla janë edhe për qytete të tjera. Ndërsa në kryeqytet deri në fund të muajit dhjetor do të konkretizohet projekti për 12 minibiblioteka.

“Plani dhe disponimi i gjithë bashkëpunëtorëve dhe donatorëve është që të jetësohet projekti edhe në lagje të tjera, por edhe në komuna të tjera. Veçanërisht në komuna të tjera pasi që e dimë se nevoja për libër është më e lartë sesa në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Adrian Berisha, këshilltar dhe asamblist i PSD-së në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Komuna do të përkrahë edhe në vazhdim projekte të ngjashme që kanë si qëllim stimulimin e leximit.

“Për ne është e rëndësishme të krijojmë projekte dhe platforma të ndryshme për të inkurajuar sidomos të rinjtë për të lexuar sa më shumë. Ky nuk është projekti i parë në të cilin kemi punuar gjatë këtij viti dhe shpresoj që nuk do të jetë as i fundit sa i përket stimulimit sa më të madh të leximit të librave në shoqërinë tonë”, ka thënë ai.

Vendosjen e një minibiblioteke të tillë e ka mirëpritur edhe Lumturie Selimi, mësimdhënëse në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, që është në lagjen “Ulpiana”.

“Më pëlqen kjo iniciativë. Kam dëgjuar që do të bëhet edhe në pjesë të tjera të qytetit. Ka humbur shumë interesimi për lexim dhe ndoshta fëmijët do të jenë më shumë kureshtarë kur ta shohin këtë minibibliotekë e ndoshta do të kthehet edhe një herë interesimi te librat, pasi që sot më shumë janë bërë të varur prej rrjeteve sociale e shumë pak ka interesim për lexim të librave”, ka thënë ajo.

Nxitja e lexueshmërisë dhe shkëmbimi i librave janë disa nga synimet e këtij projekti, të cilat organizata joqeveritare “ETEA” i zbaton në bashkëpunim me librarinë “Dukagjini” , Kuvendin e të rinjve të Prishtinës dhe Komunën.

 

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme