Altimari: Skënderbeu, pasaporta që garantoi ekzistencën e arbëreshëve

Altimari: Skënderbeu, pasaporta që garantoi ekzistencën e arbëreshëve

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 16 November 2019 12:20

Kaltërsitë e përjetshme të Jonit që hapen para Shën Mitrit të Koronës janë peizazhet që asociojnë me frymëzime muzash. Por përtej këtij idili lirik, Shën Mitri është një nga vendbanimet më të rëndësishme të arbëreshëve në Itali, aty ku edhe sot e kësaj dite “shpirti i Arbërit rron”.

Para më shumë se pesë shekujsh, shkulma të shpërngulurish nga Arbëria arritën në këtë cep të Kozencës. Prej vitit 1794, në manastirin e Basilianëve u vendos Kolegji që bëri emër si “Kolegji i Shën Adrianit”, nga dyert e të cilit doli një yllësi klerikësh e intelektualësh arbëreshë. Nga Shën Mitri është edhe Francesco Altimtari, njëri prej filologëve dhe krijuesve më të njohur arbëreshë sot. I lindur më 1955, Altimari ka studiuar në Universitetin e Kalabrisë në Rende, ku prej vitesh udhëheq katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Njohës i thellë i të folmeve arbëreshe dhe letërsisë shqipe, ai është editor i një sërë tekstesh mbi gjendjen gjuhësore dhe kulturore të arbëreshëve në Itali. Nga veprat kryesore të Altimarit përmenden: “Studi sulla letteratura albanese della Rilindja” (Cozenca, 1984), “Studi linguistici arbëreshe” (Cosenza, 1988), “Per una storia della dialettologia arbëreshe (San Demetrio Corone, 1992), “Scripta minora albanica” (Cosenza, 1994) dhe “Vëzhgime gjuhësore dhe letrare arbëreshe” (Prishtinë, 2002).

Ka ligjëruar për gjuhën dhe letërsinë shqipe edhe në Universitetin e Napolit “L’Orientale” (1991-92), Lecce (1993-97), Trieste (2000-01) dhe Milano-Cattolica (2004-18). Me interesime në gjuhësinë dhe filologjinë shqiptare, Altimari ka gjurmuar edhe brenda kontekstit ballkanik. Anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, studiuesi arbëresh është nderuar me çmime “honoris causa” nga Universiteti i Tiranës, Tetovës, Gjirokastrës dhe ai i Durrësit. Është kryetar i fondacionit universitar “Francesco Solano” në Universitetin e Kalabrisë, qëllimi i të cilit është promovimi i gjuhës dhe kulturës shqipe në Itali, si dhe forcimi i lidhjeve kulturore me shqiptarët e Ballkanit. Së fundmi, bashkë me Emanuele Banfin, Leonardo Mario Savioan, Matteo Mandalàn e studiues të tjerë, Altimari ka marrë pjesë në konferencën shkencore “Studimet albanistike në Itali”, të organizuar nga ASHAK-u në javën e tretë të tetorit në Prishtinë.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, profesori nga Kozenca ka folur për të shkuarën dhe të tashmen e komuniteteve arbëreshe në jug të Italisë, për sfidat e sprovat e reja me të cilat përballën pasardhësit e “popullit të Skënderbeut”, siç pëlqen t’i quajë arbëreshët. Çehrengrysur e me një zë të zvargur flet me trishtim për gjendjen e rëndë demografike gjithandej fshatrave arbëreshe, për shpërnguljen e të rinjve e mbylljen e shkollave në ato anë.

Altimari thotë se arbëreshët me djersë krijuan fisnikërinë e tyre në “qiellin e kthjelltë të Italisë”. Dy vatrat kulturore, siç i quan ai kolegjet e Palermos dhe Shën Mitrit, sollën në jetë rilindjen e parë, madje shumë kohë përpara De Radës. Filologu arbëresh tregohet i prerë kur në bisedë përmenden edhe prirjet për të vlerësuar në dritë pozitive periudhën nën Perandorinë Osmane.

“Ideologjizimi i vullnetshëm nuk mund ta ndërrojë rrjedhën e historisë”, thotë ai ndërsa shpreh keqardhje që shqiptarët sot shënojnë 7 marsin si festë pasi që një sulltan lejoi një shkollë në gjuhën shqipe. Lekë Matrënga kishte hapur shkollë shqipe në vitin 1592. Po aq i prerë tregohet edhe ndaj promovuesve të hipotezave pellazge që, sipas tij, janë veçse “forma regresive të një subkulture që është mirë të mos kenë asnjë audiencë”. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme