Instrumentistët e rinj në “KamerFest” me magjinë e romantizmit

Instrumentistët e rinj në “KamerFest” me magjinë e romantizmit

Lejla Pula 13 November 2019 08:24

Prishtinë, 13 nëntor – Dyqindvjetori i lindjes së kompozitores e pianistes gjermane, Clara Schuman, është njeri prej përvjetorëve që shënon edicioni i 20-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. Veprën e saj e ka rikthyer edhe të hënën mbrëma në koncertin e 12-të që është hapur me “Tri romanca për violinë e piano op.22”. Përveç kompozitores gjermane, instrumentistët e kësaj nate sollën edhe tingujt e kompozitorit tjetër të njohur gjerman, Johannes Brahms, po ashtu i periudhës së romantizmit.

“Clara Schumann së bashku me Brahms – 200-vjetori i Clara Schumann” u titullua koncerti që solli në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, violinistët Rron Bakalli e Pleurat Doli, pianistët Arbëresha Shehu, Nita Grubi e Andi Daraku dhe violonçelistin Klaudio Zoto.

Rron Bakalli dhe Arbëresha Shehu sollën fillimisht kohën “Andante molto” të veprës së Clara Schumann. Dy kohët e tjera “Allegretto” dhe “Leidenschaftlich schnell” të kësaj vepre i sollën dyshja tjetër Pleurat Doli dhe Nita Grubi, e cila vjen nga Maqedonia e Veriut dhe ka performuar edhe më parë në kuadër të këtij festivali. Sipas saj, paraqitja e tyre me koncerte është sfiduese dhe një indikator i mirë për avancimin e tyre muzikor.

Pianistja Lejla Pula ka thënë se veprat e kompozitores dhe pianistes Schumann publiku kosovar është duke i zbuluar pikërisht në këtë edicion të 20-të të “KamerFestit”. Pula ka përgëzuar instrumentistë për interpretimin e veprës së kompozuar nga Schumann, por edhe ata që interpretuan veprën e Brahmsit.

Publiku në pjesën e dytë të koncertit ka pasur rastin të dëgjojë për herë të parë trion që është themeluar pikërisht për këtë koncert e qe përbëhej nga Rron Bakalli në violinë, Andi Duraku në piano dhe Klaudio Zoto në violonçel. Pianisti Andi Duraku ka treguar se si ka lindur ideja për themelimin e trios.

“Si trio u krijuam në këtë festival pasi që morën ftesën nga drejtoresha e tij Sihana Badivuku. Nuk është që kemi pasur shumë kontakt për të mbajtur prova gjatë pasi që kemi qenë në distancë, mirëpo jemi përshtatur shumë si grup dhe si energji dhe shpresoj që të kemi dalë bukur sonte”, ka thënë ai. Duraku aktualisht është student në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, në klasën e profesoreshës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme