Kulturë

Anëtarët dhe dashamirët rregullojnë sallën e ShKA Agimi

Mobilizimi i gjerë i anëtarësisë dhe dashamirëve të ShKA Agimit ka prodhuar edhe një efekt pozitiv. Sot jemi njoftuar se salla e dëmtuar e ndërtesës së ShKA Agimit, e cila tentohej të shndërrohej në hapësirë biznesi, është rregulluar dhe kthyer në gjendjen e mëparshme. Ky veprim është dëshmi që anëtarët e ShKA Agimit dhe qytetarët e Prizrenit reaguan me plotë të drejtë dhe parandaluan një dëm shumë më të madh për organizatën, njofton kumtesa nga ShKA, transmeton Koha.net .

Gabimet edhe mund të ndodhin, vazhdon kumtesa, por e rëndësishme është që ato të përmirësohen. Rregullimi i sallës së dëmtuar si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të disa individëve, nënkupton kthimin e hapësirës për veprimtarinë e seksioneve artistike të ShKA Agimit. Tani na mbetet vetëm edhe veprimi përfundimtar për ta pëmbyllur përfundimisht një kaptinë jo edhe aq të famshme të muajve të fundit. Këtë të shtunë, më 20 Maj, të gjithë duhet të ulen bashkë në takimin e Kuvendit të Anëtarëve, t’i miratojnë dokumentet e brendshme dhe t’i zgjedhin organet legjitime të ShKA Agimit.

Kuvendi i së shtunës do të jetë dita e kthimit të shpresës për ShKA Agimin. Të gjithë pretendentët për të udhëhequr me organizatën duhet t’i nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë së gjerë përmes votës legjitimuese. Ky është moment që duhet të shfrytëzohet për të mirë nga të gjithë, ndërsa çdo përpjekje e kundërt nënkupton dëmtim të qëllimshëm të organizatës.

Kuvendi i Anëtarëve i ShKA Agimit mbahet më 20 Maj 2017, në ndërtesën e shoqatës në qendër të qytetit dhe fillon në orën 11, përfundon kumtesa.