Përzgjidhen 5 fotot fituese të konkursit “Colours of Albania”

Përzgjidhen 5 fotot fituese të konkursit “Colours of Albania”

12 November 2019 12:00

Tiranë, 12 nëntor - Edicioni i 5-të i konkursit “Colours of Albania” u shndërrua në një brand, me mijëra foto artistike të publikuara për 5 muaj me radhë, ku u evidentuan bukuritë shqiptare nën optikën e publikut të zakonshëm që luajti rolin e “diplomatit digjital”.

Në një aktivitet përmbyllës në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku ishte i pranishëm edhe Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ishin përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile, artit, kulturës dhe medias, u shpallën edhe fotot fituese.

Juria, e kryesuar nga fotografi me famë botërore, Fadil Berisha dhe anëtarët Bevis Fusha, Rosita Habazaj, Kushtrim Ternava dhe Ergys Zhabjaku, përzgjodhën 5 fotot fituese që u sponsorizuan nga Banka Credins.

“Në fotografitë e këtij edicioni, shfaqet sa stil aq edhe modë, sa trashëgimi kulturore aq edhe arkitekturë urbane, sa jetë e përditshme e njerëzve të zakonshëm, aq edhe thellësi e jashtëzakonshme historike e Shqipërisë.” -u shpreh Cakaj në fjalën e tij përshëndetëse.

Aktiviteti u shoqërua nga tingujt harmonikë të grupit të artistëve nga trevat shqiptare, nën drejtimin e mjeshtrit Agron Peni dhe vokalit të artistes nga Kosova, Vesa Smolica, për të vijuar me tingujt e muzikës së Fifit dhe për t’u përmbyllur me një atmosferë festive live nga grupi Offchestra.

Colours of Albania, organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e veçantë të Ministrit Cakaj, është kthyer në një ekspozitë gjigande virtuale të natyrës, traditës, historisë dhe shpirtit shqiptar.

Ky konkurs i përvitshëm, ka treguar se, Shqipëria nuk është vetëm peizazh dhe natyrë e virgjër, as vetëm trashëgimi kulturore apo monument antikiteti, por edhe një qytet që vibron me ritmin e modernes ku fle edhe e kaluara.

“Colours of Albania” ka për synim promovimin e Shqipërisë në të gjitha format.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme