Kulturë

Bota ka dështuar që të mësojë nga Muri i Berlinit, thonë filmbërësit

Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, regjisorët e filmave që dokumentuan jetën nga të dyja anët, thonë se përçarjet midis komuniteteve po bëhen më të përhapura, nga “Brexiti” te tensionet në kufirin SHBA-Meksikë.

Subjekti i Murit të Berlinit dhe efekti i tij te gjermanët lindorë dhe perëndimorë janë duke u eksploruar në dy sezone filmash: “Border and Boundaries” nga “Barbican” dhe “Beyound the Berlin Wall” nga “Home Manchester”, që përqendrohen ekskluzivisht te regjisoret femra.

Wieland Speck, regjisori i “Westler”, një dramë për një lidhje homoseksuale romantike që ndahet nga muri e që përshkruhet si “e pazakonshme dhe e lënë pas dore padrejtësisht në historinë e kinemasë”, tha se mësimet nga Berlini vazhdojnë që të injorohen.

“Nuk na shihni aspak duke mësuar prej tyre, në fakt qasja është e kundërt”, ka thënë ai. “Sigurisht, këto mure dhe pengesa të tjera janë një shenjë fuqie. Por gjithashtu, unë mendoj se është një shenjë e pafuqisë. Sepse është e vetmja gjë që mund të bësh”.

Speck thotë se “Westler”, një pjesë e të cilit ishte filmuar në Berlinin Lindor duke përdorur kamera të fshehura që ishin të ndaluara në atë kohë, shokoi audiencën e re bashkëkohore, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. “Ju keni një histori dashurie romantike dhe i jepni asaj pak më shumë peshë duke thënë, ‘E dini se çfarë, nuk është si një përrallë nga Grimm, në të vërtetë ashtu ishte”.

“Ishte një nga filmat e parë homoseksualë, ku homoseksualët nuk kishin vdekur në fund”. Speck beson se filmi u pranua nga Gjermania dhe ndihmoi në lëvizjen e shoqërisë, sepse paraqiti një problem, murin, që ishte më i madh se homoseksualiteti.

Pia Frankenberg, regjisorja e “Never Sleep Again”, që shfaqet në “Beyond the Berlin Wall” dhe përqendrohet në tri gra që navigojnë nëpër qytet menjëherë pas ribashkimit, tha se ajo nuk ishte e vetëdijshme se sa i rëndësishëm ishte rënia e murit. “Nuk është se ju e ndieni më të vërtetë rëndësinë e historisë në atë moment – ajo thjesht ndodh”, tha ajo. “Ju e përjetoni atë”.

Frankenberg tha që filmi i saj ishte për një qytet që pajtohej me një realitet të ri, por edhe për tri gra që përqafuan lirinë e tyre personale dhe për një “mënyrë më të qetë të të jetuarit duke bërë të njëjtat gjëra siç bëjnë burrat, por në mënyrën e tyre”.

“Borders and Bounderies” ka po ashtu filma që zgjerohen përtej Murit të Berlinit, si dokumentari i Simone Bitton “Wall”, për ndërtimin e murit ndarës në Izrael. Filmi, i cili u bë në 2004 dhe përmban intervista me punëtorët që ndërtuan murin dhe me ata jeta e të cilëve u pengua nga ai, ishte “një veprim rezistence” në një botë më të izoluar që pas 11 shtatorit, thotë ajo.

“Unë mendoj se ky mur më të vërtetë u bë një ‘gjendje kognitive’ për të gjithë planetin”, tha Bitton, i cili mendon se filmi i saj kapi fillimin e një lëvizjeje globale, ku qeveritë janë larguar nga pamja më pluraliste e botës. “Ishte i pari nga një seri shumë, shumë e gjatë e mureve prej betoni dhe atyre abstrakte që u ngritën. Ne po jetojmë në periudhën e mureve dhe ndarjes”.

Gali Gold, drejtuesi i kinemasë “Barbican”, tha se sezoni i saj tregoi se sa të rëndësishme ishin çështjet që filmbërësit në Berlin kanë spikatur para se të bëhej ribashkimi. “Çështja e kufijve dhe e një kufiri fizik rezononin këtu dhe tani dhe kjo ishte mundësia jonë për t'u lidhur me të tashmen”, tha ajo.

Gold shtoi se “Brexit afrohet shumë” gjatë sezonit, por ajo dëshiron që ajo të jetë një mundësi për të rishqyrtuar mësimet nga historia. “Ne po e përdorim faktin se është një përvojë e gjallë - ne duam ta hapim atë, ta shikojmë atë dhe të vëmë në dyshim nocionin që tema është e thatë dhe institucionale. Kufijtë po bëhen gjithnjë e më të përhapur”, tha ajo.

Sezoni i “Borders and Boundaries” do të shfaqet në “Barbican” nga 8 deri më 27 nëntor; “Beyound the Berlin Wall” është në “Home Manchester” nga 24 deri më 26 nëntor.