Kulturë

Memli Kelmendi bëhet anëtar i Këshillit Botëror të Koreve

Dirigjenti Memli Kelmendi është zgjedhur anëtar i Këshillit Botëror të Koreve apo “World Choir Council”. Anëtarësimi i Kelmendit nënkupton që Kosova për herë të parë do të ketë një përfaqësues në rrjetin më të madh të koreve, në mesin e 80 shteteve nga mbarë bota.

Këshilli Botëror i Koreve është bordi më i lartë ndërkombëtar këshillimor i rrjetit “Interkultur” për çështje artistike. “Interkultur” është një rrjet i organizatave jofitimprurëse që ndjekin një interes të përbashkët për të mbështetur kulturën në nivel ndërkombëtar. Është themeluar në vitin 1990 nga gjermani Gunter Titsch, një këngëtar kori i pasionuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Aty tregohet se ideja për të krijuar një ngjarje si “Lojërat Botërore të Korit” bazohet në idealet e Lojërave Olimpike.

Dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi ka thënë se e konsideron këtë lajm shumë të rëndësishëm pasi që, sipas tij, kjo nënkupton që edhe Kosova është bërë pjesë e “Interkultur”-it për herë të parë.

Kelmendi është i lindur në Pejë, ndërsa studimet universitare për dirigjim (vokale dhe instrumentale) i ka përfunduara në Universitetin e Prishtinës në klasën e dirigjentit të mirënjohur Bajar Berisha, ndërsa për kompozim në klasën e Darko Marinovskit. Ai aktualisht po bën studime të doktoratës për dirigjim të korit në klasë të Sasho Tatarchevskit në Universitetin e Shkupit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)