Aktorët kosovarë triumfojnë në festivalin e filmit “Cottbus”

Aktorët kosovarë triumfojnë në festivalin e filmit “Cottbus”

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 11 November 2019 08:24

Në festivalin ndërkombëtar të filmit “Cottbus” në Gjermani kanë triumfuar aktorët nga Kosova. Të shtunën mbrëma,kur edhe janë shpallur fituesit e edicionit të 29-të të Festivalit,ata morën dy çmime: Çmimin për aktoren më të mirë dhe atë për aktorin më të mirë.

Çmimin për aktoren më të mirë në këtë festival, ku morën pjesë rreth 200 filma, e kanë ndarë mes vete pesë aktorët nga Kosova: Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Melihate Qena, Shengyl Ismaili dhe Rebeka Qena. Ato u shpërblyen për lojën e tyre në filmin “Shpia e Agës” me regji të Lendita Zeqirajt. E aktori Alban Ukaj është shpërblyer me Çmimin aktori më i mirë për lojën e tij në filmin “Hëna e plotë” të regjisorit Nermin Hamzagiq, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Për ansamblin e aktoreve të filmit ‘Shpia e Ages’, për portretizimin e tyre jashtëzakonisht të fuqishëm, të gjallë dhe të detajuar në një film që pasqyron ndryshimet dramatike të një vendi ballkanik në shumë mënyra”, është vlerësimi i jurisë në deklaratën e tyre.

Çmimi për aktoren më të mirë ka vlerë 5 mijë euro dhe dhurohet nga qyteti lindor gjerman,Cottbus. Filmi i regjisores Zeqiraj sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë. Çmimin për aktoren më të mirë, kasta e këtij filmi e ka ndarë së bashku edhe në Festivalin e Filmit në Bosfor, që u mbajt në tetor të këtij viti.

“Shpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Rolet i luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno e të tjerë. Filmi “Shpia e Agës” është bashkëprodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme