Kulturë

“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” sfidon me qasjen historike

“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” e bazuar në dramën e Veton Surroit, nën regji të András Urbán, ka hapur edicionin e dytë të “Showcaseit teatror të Kosovës”. Marie Gjoni (Edona Reshitaj) është një primadonë teatri, e cila nis një lidhje me një udhëheqës komunist, Mehmet Rrokën (Shkëlzen Veseli).

Rroka është një personazh historik, i cili dikur ishte më i pushtetshmi në Kosovë derisa protestat studentore bënë që ai të shkarkohej. Në anën tjetër, mes ndërrimeve të regjimeve gjendet Familja Lale. Haxhi Lale, Fahmi Lale dhe Toni Lale janë tri gjenerata nga kjo familje kosovare informatorësh që i ka shërbyer secilit regjim – mbretit serb, fashistëve italianë, nazistëve, komunistëve serbë, atyre shqiptarë të Kosovës – e deri tek ai i sotmi, shkruan sot Koha Ditore.

Përmes tyre jepet edhe një perspektivë historike e Kosovës. “Shfaqja e fundit...” është dhënë premierë të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e të enjten mbrëma, po aty është reprizuar me titra në anglisht. Kësisoj atë ka pasur rastin ta shohë edhe një audiencë e huaj.

Për gazetaren Holly Williams, e cila është një kritike teatri, sfondi historik ka qenë sfidues.

“Kishte shumë gjëra që ngjajnë dhe më duhej që të ndjekja gjurmët e tyre për të kuptuar se çfarë po ndodhte, sidomos pasi që kishte shumë ngjarje historike. Shfaqja, sado që ishte për Kosovën, kishte edhe pjesë që shfaqin gjëra që ndodhin në gjithë botën, siç ishte pjesa që tregonte për ndalimin e përdorimit të gjuhës amtare”, ka thënë ajo. Williams është një gazetare e pavarur dhe artikujt e saj janë publikuar në media të ndryshme, si “The Independent”, “The Observer” e “The New York Times”.

Ajo ka thënë se e ka impresionuar baraspesha që ka gjetur regjisori në mes të komponentit të këngës dhe lojës në skenë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)