Kulturë

Citadela e pashfrytëzuar

Në kuadër të Kalasë së Ulqinit, përkatësisht të kompleksit muzeal ekziston Citadela, e cila është e njohur në popullatën vendase me emrin Shkalaja.

Kemi të bëjmë me pjesën verilindore të Kalasë, që është pjesa më e lartë e qytetit ku gjurmët e banimit na çojnë deri në parahistori, ku janë të pranishme mbetje të gurëve ciklopikë. Kjo hapësirë deri para pak kohësh ka qenë e parestauruar, përkatësisht e pakonservuar dhe e papërshtatshme për vizitorë.

Si e tillë ajo mund të trajtohet në shumë aspekte, ku vendin parësor e zënë ai historik, arkitektonik duke mos anashkaluar atë turistik. Dhe, nuk ka si të jetë ndryshe pasi kemi të bëjmë me pjesën integrale të këtij qyteti të vjetër me histori dymijë e pesëqind vjeçare. Por në saje të rrethanave ekzistuese, kjo pjesë e Kalasë nuk ka qenë e mundur të vizitohet nga turistët, sepse ishte në gjendje të mjerueshme, përkatësisht e pakonservuar, shkruan sot Koha Ditore.

Por me angazhimin e Qendrës Konservuese e Arkeologjike nga Cetina, në saje të mbështetjes së një projekti nga Ministria e Kulturës, përmes Programit të Mbrojtjes dhe Ruajtjes së të Mirave Kulturore për vitin 2019. Skuadra multidisiplinore ishte e formuar nga ekspertët e konservimit, siç janë arkitektët, historianë të artit dhe arkeologë, ku punimet në Shkala u realizuan gjatë muajve shkurt-mars 2019. Ishte ky angazhimi konkret që prej vitit 1983, kur është bërë restaurimi komplet i Kompleksit muzeor të Ulqinit, i cili ka qenë i shkatërruar nga tërmeti i vitit 1979.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)