Kulturë

Ministria fsheh projektet dhe shpërfill kërkesat për teatrin e operës

Descriptive Text

Ministria e Kulturës ia ka mësyrë ta përzgjedhë projektin për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” në një proces të mbyllur për publikun e pa i bërë të ditur tri projektet në garë e as anëtarët e komisionit që do të vendosë për fituesin.

Atyre ua ka lënë në dorë të vlerësojnë përderisa asnjërin nuk e ka bërë publik. Pos kësaj, ka shpërfillur kërkesat e dy institucioneve që u dedikohet një objekt i tillë – Filarmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë, dhe Ahmet Brahimaj, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së, kanë konfirmuar se janë anëtarë të komisionit.

Për projektin që llogaritet të kushtojë rreth 40 milionë euro, institucioni më i lartë kulturor po zhvillon punime këtë javë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzi.

Gazeta ka marrë vesh për probleme të mëdha qysh në fillim. MKRS-ja rrezikon që ta përsërisë dështimin e para një dekade, ku për projekt e gurin themeltar të objektit i kishte shpenzuar mbi një milion euro që shkuan huq.

Me konkursin që ishte hapur prej 11 deri më 27 korrik, MKRS-ja i ishte rikthyer edhe vendit ku planifikohej ndërtimi i objektit. Konkursi ndërkombëtar për “zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë” parashihte vlerën e projektimit 2 milionë euro, ndërkohë që Ministria e Kulturës i ka hyrë këtij projekti me 100 mijë euro buxhet për këtë projekt kapital, duke llogaritur edhe në 500 mijë të tjera nga të hyrat nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në kohën e hapjes së konkursit, pranvera e vitit të ardhshëm ishte përmendur si afat për rifillimin e punimeve. Kishin konkurruar katër kompani e tri prej tyre janë kualifikuar. Tashmë ato i kanë bërë gati propozimet.

Si “kërkesa orientuese e jodetyruese” janë ato të Filarmonisë së Kosovës e të Baletit Kombëtar të Kosovës. Filarmonia ka kërkuar sallë koncertale me 1 mijë ulëse, një sallë të provave për orkestër e një tjetër për korin, gardërobë për meshkuj e një tjetër për femra. Pastaj gardërobë për dirigjentë e për solistë, depo për instrumente e për skenografi. Filarmonia ka kërkuar edhe 10 ushtrimore apo klasa të vogla përgatitore për instrumentistë, dy hapësira për arkiv muzikor e 5 zyra administrative.

Baleti ka kërkuar sallë me 400 deri në 500 karrige, hapësirë për orkestër, dy salla të ushtrimeve me elementet përcjellëse, tetë gardëroba, dy dhoma të zhveshjes për koreografë e pedagogë, dhomën e makijazhit, depo për materiale të skenografisë, depo për kostume dhe dy punëtori, njërën për skenografi e tjetrën për kostume. Pos kësaj, janë kërkuar zyra për udhëheqësit e administratën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)