Kulturë

Përfundon prezantimi treditor “Ekrane përballë” i filmave dhe videove të artistëve italianë

Descriptive Text

Prishtinë, 31 tetor – Një familje italiane që përgatitet për të dalë në fotografinë bardhezi me fytyrat serioze prej më të vjetërve deri te fëmijët buzagaz. Krahas fotografisë fikse është edhe një “imazh” lëvizës: dëgjohen të qeshura fëmijësh e zhurma të tjera. Videoja tjetër paraqet fytyrën e rrudhosur të një plaku, gati të ngrirë, siç është fotografia, përderisa anash tij është një imazh lëvizës i drurit.

Edhe videoja tjetër flet për “ambiguitetin” midis imazhit fiks dhe atij në lëvizje, duke u dhënë mikrolëvizje imazheve fotografike përmes teknikave “morfing” e “warping”: kështu fytyra e pastër e një femre të bukur para syve të audiencës shndërrohet në fytyrën e një foshnje derisa anash saj, dhe disi në mënyrë të pavarur, dëgjohet e shihet një çurg uji që rrjedh pandërprerë.

Ndërprerja e rrymës elektrike në sallën e Fakultetit të Arteve nuk e ka lënë të përfundojë prezantimin afër dy orësh të regjisorit dhe videoartistit italian, Antonello Matarazzo.

Të mërkurën, prezantimi “Ekrane përballë” (Doppio Schermo) ka përmbyllur shfaqjen treditore të filmave dhe videove të artistëve italianë nga vitet ‘60 deri më sot, organizim i përbashkët mes Galerisë Kombëtare të Kosovës, Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Para auditorit të mbushur me studentë, Antonello Materazzo dhe Bruno Di Marino kanë shoqëruar me komente dhe shpjegime mbi 18 video-krijime të ndryshme të bëra prej vitit 2004 e tutje.

Pas ndërprerjes së papritur të rrymës elektrike në sallën e Fakultetit të Arteve, prezantimi ka përfunduar para se artistët italianë të shpalosnin të gjitha veprat e tyre.

Në fjalën e saj të mbylljes, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka thënë se bashkëpunime të tilla mundësojnë të tejkalohen “hendeqet” rreth lëvizjes së lirë.

“Jam e lumtur të njoftoj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi dhe miqësie të bukur. Në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të vazhdohet me prezantime të tilla interesante që do të mbushin të gjitha hendeqet që mund të kemi prej mungesës së lëvizjes së lirë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq ambasadori italian në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi, ka thënë me shaka se është hera e parë që flet në errësirë.

“Është më mirë kështu, sepse duke mos parë asnjëri, jam më pak i brengosur për audiencën”, ka thënë ai teksa është duartrokitur.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)