Kulturë

”Ekrane përballë” për eksperimentin gjysmëshekullor me imazhe lëvizëse

Prishtinë, 29 tetor – Dy ekrane të vëna përballë njëra-tjetrës, ku imazhet dhe artet pamore janë në lëvizje. Këto dy forma shprehëse përthyhen në imagjinatën e artistit duke realizuar një ndërhyrje stimuluese. Kështu ekrani, si një sipërfaqe projeksioni por edhe filtër, bëhet pajisja e një ndërlidhjeje të pashtershme. Kinemaja dhe videoja sot ngjajnë të njësuara, por nga një këndvështrim historik ato japin të kuptojnë disa momente të veçanta në aspektin e estetikës dhe të teknologjisë.

Prej viteve ’60 në Itali është eksperimentuar me imazhet lëvizëse, por kjo më së miri kuptohet nga një përzgjedhje filmash që mbulojnë zhvillimin e kinemasë dhe videove artistike në Itali.

Të hënën, Galeria Kombëtare e Kosovës, Instituti Italian për Kulturë dhe Ambasada italiane në Prishtinë, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, kanë hapur shpalosjen treditore me “Ekrane përballë” (Doppio Schermo), që sjell filma dhe video të artistëve në Itali, prej viteve 60 e deri më sot. Në sallën e Fakultetit të Arteve, në projektor është shfaqur një përmbledhje e një videogalerie të kuruar nga specialisti italian, Bruno di Marino.

Sipas një broshure të shpërndarë për vizitorët, viteve ’60 janë “periudha më domethënëse dhe më frytdhënëse në historinë e filmit artistik që e sheh, mbi të gjitha, Romën si qendër lëvizëse, falë përvojës së Kooperativës së Kinemasë së Pavarur”.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka thënë se qëllimi i këtij prezantimi është rritja e njohjes me kulturën italiane në Kosovë.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)