Kullat e Krujës do të bëhen qendra turistike

Kullat e Krujës do të bëhen qendra turistike

23 October 2019 14:02

Krujë, 23 tetor – Për shumë vjet ato përdoreshin kryesisht si depo, por shteti shqiptar tashmë ka një plan për jo pak kulla në qytetin e Krujës. Tashmë është projektuar që këto objekte deri vonë të zaptuara të shndërrohen në qendra tërheqëse kulturore apo në pika informacioni për turistë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka qenë të martën në këtë qytet, ku pas një vizite ka theksuar se ka vërejtur ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh të banorëve për pasuritë kulturore të qytetit të tyre.

“Sa herë që kthehem në Krujë shoh se si banorët po ndërgjegjësohen për pasuritë kulturore të qytetit të tyre. Vizituam sot kullat e liruara pas një zaptimi shumëvjeçar. Të përdorura si depo, shumë shpejt ato do të kthehen në qendra tërheqëse kulturore apo në pika informacioni për turistët”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti. Ajo ka falënderuar punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Durrës dhe ata që çdo ditë kujdesen për mirëmbajtjen e kalldrëmeve e mureve të kalasë, duke i pastruar ato.

Kruja, 20 kilometra në veri të Tiranës, njihet si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë gjatë kohës që Skënderbeu udhëhiqte këtë rezistencë. Është vendlindja e heroit kombëtar. Kështjella e Krujës u rrethua 4 herë nga ushtria osmane. Në rrethimin e katërt ra në dorën e ormanëve. Prej vitit 1982, aty gjendet muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, njëri prej më të vizituarve në Shqipëri.

Sebep i vizitës së këtij qyteti nga Elva Margariti, të martën, është bërë “Tetori i librit”, nisma e Ministrisë së Kulturës me të cilën ky institucion synon të promovojë e të nxisë leximin. Për këtë ministrja Margariti është ndalur në shkollën e mesme “Skënderbeu” të qytetit, ku ka ndarë me nxënësit disa pasazhe leximesh. Nën moton “Lexo shqip!”, Ministria e Kulturës e Shqipërisë nisi më 2 tetor fushatën të quajtur “Dhuro, gjej, lexo”, e cila synon të nxisë e të theksojë rëndësinë e librit te brezi i ri. Në të njëjtën ditë, “Tetori i librit” është ndalur edhe në qytetin e Beratit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme