“Flirting with leftovers”, intervenim artistik për rivitalizim e kujtesë në ish-restoranin Mars

“Flirting with leftovers”, intervenim artistik për rivitalizim e kujtesë në ish-restoranin Mars

14 October 2019 17:10

Fondacioni 17 bëhet gati për hapjen e edicionit të dytë të Metamorphosis.

“Flirting with leftovers” është një intervenim artistik, specifik për lokacionin, konceptuar nga artistja KOJA, e cila do të zë vend të martën e 15 tetorit, nga ora 18:30, te ish-restorant Marsi, në rrugën “Bedri Gjini”, në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.

Në njoftimin për media të këtij Fondacioni, thuhet se pas ekspozitës dhe performancës vitin e kaluar, e cila zuri vend në objektin e ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, fondacioni Shtatëmbëdhjetë sjell edicionin e dytë të Metamorphosis – FLIRTING WITH LEFTOVERS.

“Kësaj radhe kemi përzgjedhur një tjetër objekt të braktisur, tek i cili do të zë vend një intervenim artistik nën konceptin e artistes - KOJA. Ky objekt, që ndryshe njihet edhe si ish-restorant Marsi dhe gjendet në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, është ndërtuar në fund të viteve 70 si vetëshërbim i NSHT ‘Voçari’. Në vitin 1995 nga vetëshërbimi është shndërruar në restorant. Pas luftës së fundit në vend ka qenë klub nate, ndërsa prej vitit 2003 ka mbetur i braktisur”, thuhet në njoftimin për media të këtij fondacioni.

“Pas një pune hulumtuese me të rinj dhe të reja që ishin pjesë e punëtorisë tre ditore nën udhëheqjen e artistes KOJA, të martën (15 tetor) do të keni mundësi të mësoni më shumë për historinë e këtij objekti, e po ashtu edhe të përjetoni ndryshe një copë historie për objektin e braktisur. Kjo ndërhyrje vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë dhe memories kolektive”, thuhet më tej në njoftim.

Metamorphosis është projekt i cili implementohet nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, dhe sipas komunikatë për media, ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit.

“Një gjë e tillë mendohet të arrihet duke rikthyer në jetë objektet e braktisura, t’i rivitalizojë ato qoftë edhe për një ditë. Në këtë formë të dokumentohet memoria kolektive për një të kaluar që pak flitet, po ashtu hapësirat publike të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit”, thuhet në njoftim.

Metamorphosis përdorë artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike.

Më poshtë mund ta lexoni pa ndërhyrje konceptin e intervenimit artistik nga artistja KOJA

Nga dëshmitë materiale në vend, na shfaqen disa objekte t’braktisura të arkitekturës moderne, me vlera t’pa studiuara (t’pa përcaktuara) arkitektonike, historike, kulturore dhe sociale.

Aktualisht, jemi duke jetuar në epokën, ku më shumë gëzon vëmendje fuqizimi i përfaqësimit se sa vet ekzistenca/prezenca si një entitet. Ironikisht përjetimi i objekteve bëhet thjesht nga përfaqësimi, prezantimi i tyre. A mundet një akt artistik t’a provokojë ndjesinë e përjetimit të vet prezencës objektit, duke e zhvendosur tregimin që objekti i caktuar përfaqëson? A mundet t’provokohet perceptimi i objektit n’fjalë, si eksperiencë? A është e rikthyeshme prezenca dhe a mund t’rikonstruktohet ajo? A mund t’legjitimohet zgjedhja arbitrare e qytetarit, si përcaktues dhe vendimmarrës i nevojave t’veta?

Këto çështje janë eksploruar përmes ndërhyrjes artistike në objektin e ish Restorant Marsit, që ndodhet në lagjen Kodra e Trimave, në Prishtinë.

Ky intervenim prezanton qasjen në problem si pikënisje, jo për t’a ofruar ose bërë zgjedhjen, por për ta spikatur atë akoma më shumë – për t’gjeneruar diskurs në disa nivele profesionale, që adresohen tek grupet vendimmarrëse, rrjedhimisht përcaktuesit e fatit të këtyre objekteve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme