Kulturë

Përfundon rivitalizimi i Qendrës Historike të Vlorës

Qendra Historike e Vlorës ka marrë pamje të re pas ndërhyrjes restauruese e konservuese. Të dielën janë përuruar hapësirat e rivitalizuara të kësaj pjese të qytetit bregdetar. Projekti, që ka marrë rreth dy vjet kohë për t’u implementuar, ka për qëllim që t’i kthejë zonës vizitorë e ta rimëkëmbë edhe në kuptimin ekonomik.

Të dielën, në përurimin e punimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se qëllimi është që qytetit t’i hapen perspektiva të reja, shkruan “Koha Ditore”.

“E kemi parë këtë zonë në vegjëlinë tonë si një zonë fotosh historike. Kemi parë përmes fotografive sesi në këtë zonë është bërë edhe qëndisja e flamurit që e ngriti Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 dhe kemi mësuar se kjo zonë nuk është thjesht një zonë me objekte të rëndësishme arkitektonike, për sa i përket trashëgimisë sonë kulturore historike, por është një zonë e mbushur me histori…”, citohet të ketë thënë Rama. Sipas tij, në këtë pjesë ndërthuren religjione dhe e ka pasur shtëpinë vetë Qeveria e Shqipërisë. “Sot zona rikthehet me një status tjetër dhe fuqi krejt të re për të tërhequr turistë e vizitorë të shumtë, si një zonë ku mund të mësohet duke u prekur historia e jashtëzakonshme e këtij qyteti”, citohet të ketë thënë ai.

Në këtë rast është paralajmëruar se shumë shpejt Vlora do ta ketë muzeun e saj në Zonën Historike të qytetit, aty ku gjithashtu do të rivalizohet edhe tregu i vjetër.

“Jemi këtu pas një pune shumë të gjatë, por që nuk mbaron këtu. Ky është vetëm fillimi për Vlorën. Vlora është histori, nuk është vetëm deti. Vlora është dhe vendi ku Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë. Këtë dimension historik të Vlorës, që ishte venitur prej shumë vitesh, ne po përpiqemi këtu, me këtë punë kolosale për të treguar çfarë është ky qytet”, citohet të këtë thënë ajo. Sipas Margaritit, kjo zonë e qytetit është rikthyer në këtë gjendje me mbështetjen e Fondit Amerikan për Zhvillimi.

“Ne nuk u stepëm kur nisëm prishjen e 20 strukturave pa leje në këtë zonë. Një punë kolosale që dukej si një ndërhyrje shumë e vështirë. Kur projekti ishte në letër, dukej një ëndërr e largët, teksa mendon se duhej ndërhyrë në 68 objekte, monumente kulture që duhej të rivitalizoheshin. Dukej si një premtim elektoral, por ja ku jemi sot këtu dhe shohim se si u është kthyer identiteti këtyre monumenteve dhe ku kemi mbi 3 000 metra katror investim. I dhamë jetë shtëpisë së “Marigos” dhe shumë veprave të tjera historike”, citohet të ketë thënë Margariti.

Investimet në Qendrën Historike të Vlorës përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.