Kulturë

Interesim i zbehtë në dy ditët e para të Panairit Vjeshtor të Librit

Descriptive Text

Prishtinë, 11 tetor – Ambient tejet komod, organizim profesional e nikoqirllëk maksimal. Pak a shumë ky është vlerësimi që i bën secili botues hapësirës ku është duke u mbajtur edicioni i dytë i Panairit Vjeshtor të Librit, “AAB 2019”. Por fokusi i të gjitha shtëpive botuese në një panair libri është shitja. E kjo është duke munguar të paktën në dy ditët e para. Kampusi i Kolegjit AAB në Fushë-Kosovë është tejet modern.

Hapësira e Panairit është qendrore. Rreth 50 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora kanë zërë vendet e tyre në sallën e përdheses nga kalon secili student, stafi akademik e ai administrativ i Kolegjit. Ekspozimit të librave nuk mund t’i shmanget askush që i duhet të futet në objekt. Por shitja e botimeve del të jetë krejt simbolike.

Në ditën e dytë të ngjarjes, përfaqësuesve të shtëpive botuese u vije jo pak mërzi të pyeten për interesimin. “Është gjë që shihet”, janë disa prej përgjigjeve. Krahas tavolinave me libra janë edhe hapësirat ku studentët marrin shërbime të ndryshme administrative. Janë të shumtë ata që kalojnë në këto anë, por krejt të pak prej tyre intereson për atë që ofron Panairi.

Endri Mertiri për disa vite radhazi merr pjesë në Panairin e Librit në Prishtinë. Si përfaqësues i shtëpisë botuese nga Tirana, “UET Press” për të dytin vit është pjesë e Panairit të Kolegjit AAB. Shtandi i tij ofron libra universitar e publicistikë. Kanë llogaritur që të paktën ata universitar të zgjojnë vëmendje te studentët.

“Organizimi është shumë serioz, komoditeti është shumë i lartë. Por nuk ka shitje”, ka thënë Mertiri.

Shtëpia botuese “Armagedoni” sot (e premte) promovon librin e Adil Ollurit, “Kthimi i profetit” dhe dy veprat e Agron Shalës, “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")