Kulturë

Artistja në lojë me arkitekturën midis realitetit e imagjinatës

Monika Kropshofer kishte zgjedhur që fillimisht të mësonte për artin e pastaj të zinte një vend si artiste. E lindur në Neuwied të Gjermanisë më 1952, ajo qysh si fëmijë ishte interesuar për artin. Kur bënte vizatime si filloriste, krahas tyre kujton se shfaqte interesim edhe për të mësuar më shumë për të. Kropshofer është tamam gjermane sa u përket detajeve.

Një gjë e tillë vërehet në veprat e saj. Me të përfunduar shkollën e mesme, kishte vendosur që të studionte historinë e artit, shkruan sot Koha Ditore.

Donte që para se të niste një karrierë prej artisteje, të dinte se nga ka ecur arti nëpër kohëra të ndryshme. Këtë edhe e ka bërë në Bonn, që asokohe ishte kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore.

“Më interesonte se si kanë punuar artistët e tjerë. Ishte një shans që të gjeja mënyrën time të punës”, thotë Kropshofer në tarracën e një hoteli ku po qëndron në Prishtinë.

Meditim përballë të njohurës e të panjohurës

Në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë ka arritur për të ekspozuar disa nga veprat e saj. Për dy javë në galerinë “Qahili” do të qëndrojë e hapur ekspozita e saj personale “Realitete të zgjeruara”, me kuratore Tamara Tziroulnikoff.

Në Kosovë ka ardhur me makinë. Gjatë rrugës i ka rënë që prej Italisë të këpusë Adriatikun për të arritur në Durrës e pastaj të udhëtojë në drejtim në Prishtinës. Por Kropshofer udhëtimet i ka të shumta. Pos si hobi, ato i hyjnë në punë edhe për veprimtarinë e saj. Kombinon fotografitë me piktura duke i shndërruar në vepra unike....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)