Kulturë

“Kusari” me rrëfimin për arnautët që luftuan kundër vahabistëve

Është një botë ku ndeshen gjysmë-mitikja dhe modernia, një stil i jetës që po perëndonte dhe një tjetër që po shfaqej me krejt totalitetin e vet. Krejt kjo përplasje është letrarizuar brenda 410 faqesh në atë që është bërë tashmë bestselleri i botës arabe.

Romani debutues “Kusari” (në origjinal “Al Qursan”) shpalos një botë të tërë nëpërmjet shkathtësisë narrative dhe dialogë tejet realistë.

Abdulaziz Al-Mahmud ishte shkolluar për inxhinier dhe për shumë vite kishte shërbyer në Forcat Ajrore të Katarit. Për disa vite, ai kishte qenë pjesë e bordit të drejtorëve të “Al Jazeeras”, por letërsia ishte ajo që do t’i jepte përmasa të përbotshme emrit të tij krijues, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pavarësisht se në epiqendër ka kusarin famëkeq arab, Rahmah ibn Jabir al-Jalahimah, në faqet e romanit të tij zënë vend edhe shqiptari Ibrahim Pasha dhe kalorësia e tij arnaute në Egjiptin që kishte siguruar de facto pavarësi nga Perandoria Osmane.

Në vitin 1813, shqiptari Mehmet Ali Pasha i shpalli luftë Ibn Saudit që në këtë kohë ishte prijës i lëvizjes vahabiste në Siujdhesën arabe. Pas kundërsulmit të parë, arnautët e Ibrahim Pashës dhe forcat e tjera nën komandën e tij shkatërruan kryeqytetin e vahabistëve në Diriyah dhe ekzekutuan Al-Saudin.

Të mërkurën, në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, libri i autorit nga Katari është bërë pjesë e repertorit jo të shumtë në numër të letërsisë arabe të përkthyer në shqip.

Gjatë përurimit të librit, njohës të letërsisë dhe miq të autorit kanë shprehur konsiderata të larta për botimin e “Kusarit”.

Shumica e tyre kanë theksuar rëndësinë e romanit që sjell edhe personazhe historike shqiptare, mes të cilëve edhe Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës, sundimtarit të hekurt shqiptar të Egjiptit.

Muhamed Mufaku, drejtor i Institutit për Studime Orientale, ka thënë se është nder që po përurohet një roman me tematikë shqiptare. Po ashtu ka thënë se është nder që në Prishtinë ndodhet një shkrimtar, si Abdulaziz Al-Mahmud.

Ndërkaq botuesi Abdullah Zeneli, drejtor i shtëpisë botuese “Buzuku”, ka pasur vetëm fjalë të mira për “Kusarin”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)