Kulturë

Zvicra frankofone shpalos botën shqiptare nëpërmjet artit e kulturës

Prishtinë, 2 tetor – Zvicra nuk është vetëm shteti ku jetojnë e punojnë qindra e mijëra shqiptarë. Java e parë e tetorit në qytetin piktoresk të Lausannes, buzë liqenit të Gjenevës, është rezervuar edhe për shfaqje teatrale nga Kosova. Dhe jo vetëm.

Kështu, Théâtre Vidy-Lausanne hap dyert për “Një shfaqje teatri me katër aktorë me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministër, me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” dhe “Peer Gynti nga Kosova”. Që të dyja janë produksione teatrore të qendrës “Multimedia”.

Krejt kjo është mundësuar nga qyteti i Lausannes në kuadër të njohjes së kulturës shqiptare me një program të larmishëm filmash, spektaklesh, koncertesh, debatesh dhe ngjarjesh në partneritet me “Cinémathèque Suisse” dhe veçmas Théâtre Vidy-Lausanne.

“Pas suksesit të dy edicioneve të para të ‘Lausanne Méditerranées’, përkatësisht përreth Magrebit dhe Greqisë, ky edicion i ri i kushtohet hapësirës shqiptare. Nëse lidhjet tona me basenin e Mesdheut janë të shumëfishta, është një pjesë e bregdetit që mbetet e panjohur: Shqipëria dhe vendet ku flitet shqipja, veçanërisht Kosova, por edhe Maqedonia”, e ka përshkruar këtë ngjarje kryetari i Laussanes, Grégoire Junod. Sipas tij, parimi i këtij edicioni mbetet i njëjtë e që, sipas tij, është theksimi i pasurisë së ndërsjellë përmes shkëmbimeve e debateve mbi çështjet politike dhe shoqërore.

“E mbyllur për një kohë të gjatë, Shqipëria është e hapur për turizëm njësoj si pjesa tjetër e Evropës, me asetet e saj të pamohueshme, sidomos me historinë e saj të begatë dhe peizazhet e ndryshme”.

Junod ka theksuar se Zvicra dhe Kosova kanë mbi 50 vjet të lidhjeve të forta që kanë ndihmuar në ndërtimin e urave të shumta.

Kështu, edicioni i tretë i ‘Lausanne Méditerranées’, që ka nisur zyrtarisht të shtunën me folklor e kuzhinë tradicionale, ka vënë synim thyerjen e klisheve dhe hapjes së dyerve për kulturën shqiptare përmes teatrit, muzikës, letërsisë, kinemasë dhe gastronomisë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")