Kulturë

Shkrimtarja austriake përballë thyerjes së imazhit për Kosovën

Descriptive Text

Prishtinë, 2 tetor – Shkrimtarja austriake Karin Peschka tashmë e ka të qartë se si është të jetosh në Kosovë. Gjatë shtatorit ajo ka qëndruar në kryeqytet si pjesë e rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lumë”, e për të do të shkruajë.

Tri postime të shkurtra i ka publikuar në ueb-faqen e saj, dhe kaq i ka mjaftuar që të thyejë paragjykimet e mundshme të lexuesve për këtë vend. Të katërtin do ta postojë së shpejti për të përmbyllur ciklin e këtyre shënimeve të shkurtra. Por me to nuk përfundon puna e saj.

Me t’u kthyer në Vjenë, ku edhe jeton, do t’i përvishet punës për të shkruar më shumë shkrime për Prishtinën dhe qëndrimin e saj në Kosovë. Përshtypjet e saj i ka shpalosur të hënën mbrëma në leximin dhe diskutimin publik, në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Rezidenca letrare “Prishtina nuk ka lumë”, e implementuar nga qendra “Multimedia”, mbështetet nga Ambasada Austriake në Kosovë.

Lexuesit e faqes së saj tashmë kanë filluar t’i lënë komente. Peschka ka thënë se një komentues pasi që i ka lexuar postimet e saj i ka thënë se e ka kuptuar se imazhi që ai ka për Kosovën ishte krejtësisht ndryshe.

“Ka mbetur i njëjtë me ato të viteve ’90”, ka thënë shkrimtarja t’i ketë shkruar komentuesi i saj. Prandaj, sipas saj, kjo është një arsye më shumë që ajo të shkruajë. Siç ka thënë, ajo dëshiron t’u tregojë njerëzve që gjërat kanë ndryshuar.

Sipas saj, nëse do t’i duhej që të zgjidhte në mes ofertës, një muaj në Zvicër dhe një muaj në Kosovë, do të zgjidhte Kosovën.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")