Kulturë

“Shota” konfirmon suksesin edhe në Korenë e Jugut

Prishtinë, 1 tetor – Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” ka konfirmuar suksesin e vet edhe në Korenë e Jugut. Në Festivalin Botëror të Vallëzimit në Cheonan ka marrë çmimin e dytë. Edicioni i 17-të i këtij festivali është mbajtur prej 25 deri më 29 shtator. Për pesë ditë, qyteti me 600 mijë banorë është shndërruar në kryeqendër grupesh folklorike e valltarë stilesh të ndryshme nga mbarë bota. Në fakt bëhet fjalë për një ngjarje masive bazuar edhe në statistika. Edicionin e vitit të kaluar ishte vizituar nga një milion veta.

Lajmin për fitoren e “Shotës” e ka bërë publik Ylber Asllanaj, udhëheqës artistik i ansamblit, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. “’Shota’ nderohet me vendin e dytë.

Sivjet në kategorinë ndërkombëtare të grupeve, ku është përfshirë edhe “Shota”, kanë garuar ansamble nga 17 vende të ndryshme. Rumania, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Egjipti, Kenia, Bolivia, Ekuadori, Paraguai, Kolumbia, Meksiko, Indonezia, Uzbekistani, Malajzia, Tailanda, Palau- Oqea, kanë qenë shtetet pjesëmarrëse.

“Cheonan World Dance Festival” është një ndër më të mëdhatë në këtë vend dhe njëkohësisht anëtar i Federation of International Dance and Art Festivals (FIDAF). “Let’s Dance in Cheonan!” (Të vallëzojmë në Cheonan), është motoja. Gazeta ka provuar të vërë kontakt me menaxhmentin e institucionit, por kjo ka qenë e pamundur. Ansambli ende nuk është kthyet nga Koreja e Jugut.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")