Kulturë

Magjia e veprave të Griegut dhe Dvorzhakut përjetohet në Prishtinë

Ishte shkruar plot 151 vjet më parë, kur kompozitori dhe pianisti norvegjez Edvard Grieg ishte vetëm 24-vjeç dhe vrulli i tij krijues po plazmonte vlerat e para që do t’ia përjetësonin emrin në dekadat që do të vinin. Ishte kompozuar në Søllerød të Danimarkës, aty ku Grieg kishte shkuar për ajrin e pastër, fushat e buta dhe peizazhin në qiellin e shpërlarë nga kaltërsitë.

I përbërë nga tri kohë, “Koncerti për piano në a-mol, Op. 16” të premten në Sallën e Kuqe po endej mes gishtërinjve të pianistes virtuoze Lule Elezi. Pas saj edhe flautet, oboat, klarinetat, basonët, trumbetat, tubat, timpani dhe instrumentet me tela endnin magjinë e “Allegro molto moderator”. Me interpretimin e veprës së Griegut, e cilësuar si perlë e literaturës pianistike, Filarmonia e Kosovës ka hapur siparin e sezonit 2019-2020, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku nuk ishte asnjë vend i lirë, mbrëmja koncertale kaloi mes “kimisë” së anëtarëve të orkestrës së Filarmonisë së Kosovës dhe dirigjentit nga Gjermania, Boian Videnoff. Ky i fundit nuk ishte i “huaji” i mbrëmjes.

Për drejtorin artistik të Filarmonisë së Manhajmit, kjo ishte hera e gjashtë që kishte ardhur në Kosovë. “Përderisa njihemi me anëtarët e orkestrës, mendoj se ka një energji të mirë mes nesh”, ka thënë Videnoff për gazetën teksa pranonte urime nga njerëzit që e përshëndesnin.

Pas përfundimit të pjesës së parë, që zgjati afro 30 minuta, një zhytje në botën e lirizmit romantik shoqëroi jehonën e “Simfonisë Nr. 9 në e-mol” të kompozitorit romantik çek Antonín Dvořák (Dvorzhak). E njohur alternativisht edhe si “Simfonia e botës së re”, ajo ishte kompozuar nga muzikanti çek në vitin 1893, sa kohë ishte drejtor i Konservatorit Shtetëror të Muzikës në Amerikë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)