Kulturë

“Luani i artë” për “Faustin” që kritikon shoqëritë totalitare

Descriptive Text

Lehja e qenve dëgjohet zëshëm. Shpesh ndodh që ata të të sillen rreth pavijonit të shoqëruar nga dy persona, të cilët, ani pse nuk e kanë dukjen e tillë, luajnë rolin e policëve.

Dy nga performuesit herë qëndrojnë të varur nëpër rrjetat që rrethojnë objektin e Pavijonit e herë hipin në kulm të tij. Lart duken të lidhur, shkruan sot “Koha Ditore”. Krijojnë përshtypjen që po mundohen të ikin nga një burg, por nuk ia dalin dot.

Kjo është introja e performancës që vizitorët e Pavijonit të Gjermanisë mund ta shohin në hapësirën ekspozuese “Giardini” në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

Të shtunën, kur juria e kryesuar nga Manuel J., Borja-Villel ka vendosur që “Luani i Artë”, që është çmimi kryesor i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, t’i takojë Gjermanisë, ku radha për t’u futur në këtë pavijon ka qenë mbi 200 metra e gjatë.

Performanca jashtë tij, jo që i ka mbajtur “gjallë” ata që kanë pritur deri në dy orë, por edhe e ka shtuar kuriozitetin për veprën “Faust” të artistes gjermane, Anne Imhof me kuratore Susanne Pfeffer. Bashkë me këtë edhe ngulmin për t’u futur brenda, pavarësisht pritjes. Imhof një koreografe e njohur për performancat e saj gjithandej botës e ka “përmbysur” objektin e Pavijonit gjerman. E ka mbyllur hyrjen ballore të ndërtesës që kishte zënë vend aty në kohën e nazizmit.

Këtë portë e ka shndërruar në një pikë prej ku krejt pak shihet se çfarë ndodh brenda. Ky është njëri nga elementet që e bën pavijonin të duket tamam si burg. Posa hidhet hapi i parë nga hyrja anësore, performancat veç sa shihen të kenë marrë hov. Persona të ndryshëm qëndrojnë në të katër anët e pavijonit. Disa janë ngjitur për mur dhe duken sikur janë duke ikur prej dikujt.

Juria ka vendosur që “Luanin e Artë” për pjesëmarrje në ekspozitën “Viva arte viva”, t’ia ndajë artistit gjerman, Franz Erhard Walther, duke e bërë Gjermaninë fituese të dyfishtë të çmimeve kryesore të Bienales, ku sivjet përfaqësohen 85 shtete, në mesin e të cilave edhe Kosova me veprën “Lost and Found” të Silej Xhafës, e cila ka marrë goxha vëmendje.

“Luani i argjendtë për artist premtues” i është ndarë artistit egjiptian Hassan Khan. E me mirënjohje të veçantë janë shpërblyer edhe amerikani Çarles Atlas dhe kosovari Petrit Halilaj për veprat e prezantuara në kuadër të ekspozitës “Viv arte viva”, titull ky që sivjet është temë qendrore e Bienales Ndërkombëtare të Artit, e cila me ndarjen e çmimeve hap dyert për vizitorë deri në nëntor... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.