Kulturë

Ekzili, përcaktues i qasjes letrare

Rikthimi i kujtimeve të mbetura për vendlindjen është bërë mision i shkrimtarëve që jetojnë në ekzil. Dykuptimësia e strehës që kanë gjetur në një vend tjetër, po ashtu zë vend në qendër të letërsisë që krijojnë larg atdheut.

Njësoj sikurse edhe sfidat e tyre që lidhen me pranimin e refuzimin në vendet që bëhen shtëpi e dytë për ta. Të gjitha këto rrethana ndikojnë edhe në punën krijuese të tyre, shkruan sot “Koha Ditore”. Shkrimtari sirian, Hamed Abboud, i cili nisi të shkruante poezi në vitin 2003, tash e ka ndryshuar qasjen.

Para revolucionit dhe përkeqësimit të situatës në Siri, poezitë e tij ishin filozofike dhe flisnin për jetën. Por tani ai ka shpikur për vete një formë tjetër të të shkruarit. I duket se poezia më nuk e ka fuqinë për ndryshim, apo që të ndikojë tek të tjerët. Proza sarkastike tani është stili i tij. Në këtë formë mes rreshtash ai kujton vendin e tij të lindjes e njerëzit që ka humbur.

Si një memoar, apo siç i koncepton ai “databazë” ose “arkiv” i kujtesës. Shkrimet e tij tanimë janë bërë si terapi shërimi për të. Të tilla ai mëton të jenë edhe për të tjerët që i lexojnë sidomos ata që kanë kaluar nëpër të njëjtat gjëra. Njëjtë sikur ai edhe poeti palestinezo-sirian, Ghayath Almadhoun, ka ndryshuar qasje në krijimet e tij.

Prej vitit 2008 ai jeton në Suedi dhe ka nënshtetësinë suedeze. Poezitë e tij janë të thella, me metafora e dykuptimësi. Pak më ndryshe është situata me poetin, përkthyesin e publicistin shqiptar, Oseku. Sikur Almadhoun, edhe ai jeton në Suedi, dhe po ashtu e ka përjetuar luftën. Por qasja e tij në poezi është e kundërt me atë të kolegut. Ai është i dëshpëruar me gjendjen e vendlindjes së tij dhe me shkrime kritikon.

Oseku, Abboudi dhe Almadhoun bashkë me poetin, filmbërësin e përkthyesin grek, Jazra Khaleed, dhe përkthyesen nga Bullgaria, Ekaterina Petrova, u bënë bashkë të dielën në një panel diskutimi. Shkak që këta shkrimtarë t’i ndajnë përvojat e tyre me audiencën u bë edicioni i shtatë i festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, që u mbajt prej datës 12 deri më 14 të këtij muaji. Paneli me titull “Nga ku po shkruaj: Letërsia në kohët e ekzilit, diasporës dhe të shpërnguljes” zuri vend në Qendrën Multimedia, njëherësh edhe organizatore e festivalit bashkë me qendrën kulturore “Beton” në Beograd... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.