Kulturë

Kineastja që sjell të padukshmen e vuajtjeve

Dhembja mund ta kapërcejë vetveten e të shndërrohet në mall për praninë jofizike të dikujt. Në raste të tjera gropa e dhimbjes së pangushëllueshme mund të vijë duke u zgjeruar.

Por arti seç ka një fuqi mrekullibërëse për këtë. Arti i të bërit film nuk është harresa, por universalizimi i dhimbjes shqiptare, duke e bërë atë të kuptueshme e të kapshme gjithandej, shkruan sot Koha Ditore.

Është kjo përmasa e katarsisit, ajo që te grekët e vjetër ishte fuqia siprane e artit për të spastruar nga emocionet.

Lufta e fundit në Kosovë nuk është vetëm kronika me statistika të vrarësh, kronologji luftimesh e ngjarjesh njëra pas tjetrës.

Por regjisorja Antoneta Kastrati te filmbërja ka gjetur një univers të tërë mundësish që t’u japë zë atyre që vdekja ua këputi fillin e jetës në mes. Si te rrëfenjat e moçme shqiptare, “Zana” e saj është paraqitja e hyjnishme dhe ndikimi mbi fate e situata njerëzore në dukje të pazgjidhshme.

I ndërtuar mbi themele ngjarjesh të vërteta, ky film ngjan si një zë i tjetërbotshëm për fate e tragjedi njerëzore.

“Për fat të keq, vuajtjet janë shndërruar vetëm në numra e në sensacione e filmi im provon të sjellë diçka më të thellë”, thotë Kastrati.

Është krejt e përkorë dhe e përzemërt ndërsa flet. Teksa jashtë dëgjohet brerima e shiut, brenda në lokalin “Soma” biseda merr shtjellën e vet me një forcë të pazakontë përfytyrimi...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)