Kulturë

“Pesë stinët e armikut të popullit” përballë vrasjes së ndërgjegjes

Dialogë plot kundërvënie, skena me tension dhe një lavjerrës i fuqisë që luhatet herë nga ana e ligjit, herë nga paligjshmëria. Idealizimi i një arkitekti që përfytyronte një peizazh të rregullt urban vihet përballë interesave të errëta të grupeve nga nëntoka.

E përcjellë edhe me muzikë sapo shkallëzohej tensioni mes protagonistëve, shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit”, nën regji të Blerta Nezirajt, është dhënë premierë të martën mbrëma në sallën e madhe të TKK-së, si shfaqje mysafire prodhuar prej qendrës “Multimedia”.

Teksti dramatik i Jeton Nezirajt, që është bazuar përhumbshëm në një dramë të Henrik Ibsenit, ka teatralizur Prishtinën e pasluftës në betejën e humbur përballë ndërtimeve pa leje.

E gjithë ngjarja e “armikut të popullit” ftillohet përreth arkitektit (Armend Smajli), administratorit harrakat Pierre dhe Metit, shef i një kompanie të fuqishme ndërtimore.

Ndërkohë, administratori ndërkombëtar i Prishtinës, një francez i pispillosur (i interpretuar nga Shpëtim Selmani), nuk tregohet aspak empatik me nevojat e njerëzve që i administron, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në anën tjetër, arkitekti nuk pushon së vizatuari planin urbanistik të qytetit të tij ku nuk tolerohen ndërtimet e egra. Dhe përplasja e tij me administratorin francez është e pashmangshme.

Në krah të tij duket se ka edhe kryesindikalistin (i interpretuar nga Afrim Muçaj), i cili merr poza të patriotit.

“Do t’ju vëmë gjoba të majme kompanive që blejnë materiale ndërtimore nga Serbia”, thotë ai teksa bën thirrje edhe për protesta kundër ndërtimtarëve.

Në sallën ku të gjitha biletat ishin shitur, publiku tregohej i vëmendshëm për çdo lëvizje e dialog të aktorëve. Të pranishëm në sallë ishin edhe familjarët e arkitektit Rexhep Luci, i cili kishte qenë drejtor i planifikimit në Komunën e Prishtinës. U vra më 11 shtator të vitit 2000.

Në rolet kryesore të shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit”, që të mërkurën është shfaqur edhe në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, luajnë Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj dhe Verona Koxha.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)