Kulturë

Thjeshtësia siciliane për reflektime të thella thuret në dy drama

Tekstet dramatike shkruhen për t’u vënë në skenë, por dramaturgjia është më shumë se kaq. Gjuha e thjeshtë e saj nuk është aspak pengesë për fluturime në fantazi, njësoj siç thjeshtësia di të shprehë më së miri përditshmërinë e jetës.

Inventarit të dramaturgjisë së huaj të përkthyer në gjuhën shqipe i janë shtuar edhe “Dy drama” të autorit italian Tino Caspanello.

Të mërkurën, në hapësirat e qendrës “Multimedia”, është mbajtur një diskutim letrar me rastin e promovimit të dy teksteve dramatike të dramaturgut të njohur italian, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të përkthyera nga Arben Idrizi, “Det” (Mari) dhe “Tablo të një revolucioni” (Quadri di una rivoluzione) janë përmbledhur në botimin “Dy Drama”, dalja në dritë e të cilit është mundësuar nga “Multimedia” në bashkëpunim me rrjetin “Eurodram”.

Sipari i bashkëbisedimit është hapur me leximin e disa shkëputjeve nga drama e parë “Deti” nga aktorët Adrian Morina dhe Alketa Sylaj.

Fill pas tyre vetë dramaturgu dhe aktori Tino Caspanello bashkë me të shoqen e tij, Cinzia Muscolino, po ashtu, aktore, kanë deklamuar në “dialetto siciliano“ pjesë nga këto tekste.

I lindur më 1960 në Messina, Tino Caspanello është një prej dramaturgëve më në zë në ishullin e Sicilisë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)