Kulturë

Maestroja i violonçelit ndez “Fishekzjarrët e KamerFestit”

Descriptive Text

Prishtinë, 19 shtator – Violonçelisti i njohur, Denis Shapovalov, i rrethuar nga anëtarët e orkestrës, me grushtin lart ka dhënë shenjë për “Fishekzjarrët e KamerFestit”, koncerti me të cilin të martën mbrëma, Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, është hapur edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale. Jubileu sjell 13 koncerte të tjerë që shtrihen deri më 16 nëntor.

“Koncerti në G-Dur” për violonçel dhe orkestër harqesh i Antonio Vivaldi reflektoi menjëherë mjeshtërinë që ka Shapovalov. Ai përveç që ka ekzekutuar me përpikëri tingujt në violonçel, njëkohësisht ka pasur rolin e dirigjentit. I ulur në mes të anëtarëve të Orkestrës së “KamerFestit” me duart kur s’i kishte në violonçel, por edhe me shikim, Shapovalov ka dëshmuar aftësitë që ka në dirigjim, rol në të cilin ishte paraqitur edhe më herët në Prishtinë. Fillimisht, pikërisht për këtë aftësi e ka njohur edhe publiku i Prishtinës. Para gjashtë vjetëve, fituesi i edicionit të 11-të të garës ndërkombëtare “Tchaikovsky” në vitin 1998, kishte dirigjuar edhe një koncert të Filarmonisë së Kosovës.

Që atëherë ai kishte mbajtur kontakte me violinisten Sihana Badivuku, njëkohësisht drejtoreshë e festivalit “KamerFest”. Gjatë këtyre viteve bisedat e tyre kanë qenë rreth rikthimit të Shapovalovit në Prishtinë. Pas këtyre viteve, ardhjen violonçelisti Shapovalov e ka konsideruar një kënaqësi të madhe. Këtë e ka thënë derisa instrumentistët e orkestrat akordonin harqet për të luajtur veprën e dytë, “Koncertin në C-mol” po të Vivaldit.

Pas këtyre dy koncerteve për violonçel dhe orkestër, Shapovalovi ndryshoi atmosferën e koncertit. Përveç mjeshtërisë, Shapovalovi përmes muzikës shpalosi edhe personalitetin e tij.

E veçanta e këtij edicioni, siç ka treguar Sihana Badivuku, është se disa koncerte të këtij edicioni do të përsëritën edhe jashtë vendit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")