Kulturë

“The Testaments” në botën e konspiracioneve

Margaret Atwood e kishte një paraqitje në serialet televizive bazuar në librin e saj “The Handmaid’s Tale”. Luajti rolin e një halle, në skenën ku një grua turpërohet prej një grupi shërbëtoresh shtëpiake se “e lypi” të përdhunohej nga një bandë, në moshën 14-vjeçare.

“Faji i saj, ajo i shtyri ta bënin”, është fjalia që ato përdornin. Atwood thotë ta ketë konsideruar skenën “tmerrësisht shqetësuese”, që mbase nuk qe aq pikëlluese të shkruhet sa të jetësohet ose, më vonë, të shikohet, transmeton Koha Ditore.

Në libër rreshtat me një ritëm të shurdhër e shpien lexuesin jo kah turpërimi hipnotizues i një qenie tjetër njerëzore, por mu te rrëfimi i narratores Offred për bashkëfajësinë e saj.

“Dikur kisha mendim të mirë për veten”, thotë ajo. “Pastaj jo më”.

Skena është para së gjithash morale, jo sensacionale; shpërfaqet përmes trurit, jo përmes syve. Kjo është arsyeja pse vepra e Atwoodit përjetohet si kaq e kohës dhe si e nevojshme. Ajo mendon.

Atwood pa dyshim ka pasur kohë të mjaftueshme për të menduar, meqë romani prek kulmin jo vetëm si një adoptim tejet i suksesshëm televiziv, por edhe si një simbol i fuqishëm i rezistencës ndaj mizogjinisë së Donald Trumpit dhe djathtistëve të krishterë. Seriali shndërrohet në një reflektim vizual të agonisë së kohës, të paktën asaj femërore. Herë-herë bëhet i vështirë për t’u shikuar apo për të mos u shikuar.

Në “The Testaments”, Atwood e rimerr të drejtën për t’i marrë në konsideratë të këtilla vështirësi, në vend se thjesht t’i imagjinojë. Ajo interesohet jo për mënyrën se si u degraduan njerëzit, si objekte, por se si u bënë moralisht të kompromentuar.

Në esencë, romani i ngërthen 15 apo 16 vitet e zhdukjes së Offredit në fund të “The Handmaid’s Tale”. Aty janë tri narratore, dy prej të cilave të reja dhe idealiste, e njëra e moshuar dhe tejet dinake. Portreti më imponues është ai dobësisë. Rrëfimi buron dhe përshkruhet nga famëkeqja hallë Lydia dhe ajo është po aq e llahtarshme sa do të prisnit të ishte....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)