“Perceptime” në Japoni me shembullin e bashkëpunimit rajonal në kulturë

“Perceptime” në Japoni me shembullin e bashkëpunimit rajonal në kulturë

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 10 September 2019 12:13

Prishtinë, 10 shtator Muzetë po bëhen forume qendrore për diskutim dhe vend i angazhimit qytetar. Si oferta thelbësore e muzeve, ekspozitat vënë në spikamë atë se si këto institucione u përgjigjen sfidave dhe i përshtatin programet e tyre në një përfitim më të gjerë shoqëror. Me mbështetjen e British Council, projekti “Perceptime” ka paraqitur pesë institucione kulturore nga Ballkani Perëndimor në konferencën e përgjithshme të International Council of Museums (ICOM) në Kyoto të Japonisë.

I mbajtur në javën e parë të shtatorit, përkatësisht nga data 1 deri më 7 shtator, qyteti i Kyotos ka mirëpritur mbi 3 mijë pjesëmarrës në konferencën e përgjithshme të muzeve botërore. Me temën “Muzetë si qendra të kulturës: e ardhmja e traditës”, forumi i Kyotos solli në pah rolet e reja që duhet të marrin muzetë teksa përfaqësojnë të kaluarën.

“Ky takim, i mbajtur çdo tre vjet, premton të frymëzojë një varg diskutimesh dhe shkëmbimesh për çështjet e lidhura me muzetë. Nëpërmjet sesioneve, ekskursioneve, punishteve e gjërave të tjera, pjesëmarrësit do ta kenë të mundur të angazhohen me profesionistë dhe entuziastë të muzeve të tjera për të zgjeruar përvojën dhe kuptimin e tyre mbi muzetë gjithandej botës”, thuhet në përshkrimin e faqes së ICOM-it, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas një komunikate të British Council, projekti “Perceptime” përbëhej nga pesë ekspozita që janë shfaqur në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe janë përqendruar në punën e grave artiste.

“Temat e këtyre ekspozitave ambicioze dhe inovative u bashkë-kuruan nga pesë muzetë ku u shfaqën ekspozitat. Secila ekspozitë përbëhej nga vepra të artisteve më të famshme britanike nga koleksioni i British Council, duke filluar nga tapiceria tronditëse e Tracey Emin ‘Diçka nuk është në rregull’ (Something’s Wrong’), e cila e shkatërron aktin tradicional të femrës, përmes fotografive të mprehta, autoportretit të Sarah Lucas me vezë të skuqura dhe peshkut, deri tek skulptura lozonjare e këmbëve të Anthea Hamilton, së bashku me veprat e artisteve vendëse”, është thënë në kumtesë.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në janar të këtij viti “Perceptime” solli ekspozitën “Burrneshat” me veprat e 8 artisteve shqiptare të Kosovës dhe 14 nga Britania.

Sipas British Council, ky projekt për prezantim në Japoni është zgjedhur si rast studimi, por edhe si “shembull i forcimit të pozitës së muzeve në ngritjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore”.

“Përmes shkëmbimit të veprave artistike nga koleksioni i British Council dhe institucioneve të kulturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, muzetë pjesëmarrës tërhoqën vëmendjen për çështje të barazisë dhe përfaqësimit të grave në koleksionet permanente të muzeve, si dhe nxitën një diskutim më të gjerë për stereotipat gjinorë dhe pozitën e grave në segmente të ndryshme të jetës”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme