Kulturë

Gjirokastra mirëpret ”Fustanella Festival”, kthim tek rrënjët

Tiranë, 12 maj – Gjirokastra do të mirëpresë më 19 maj festivalin më të ri, i cili ka në vëmendje të tij trashëgiminë kulturore. “Fustanella Festival” është aktiviteti që do të kujtojë fustanellën, një nga veshjet tradicionale të shqiptarëve.

“Fustanella Festival” do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.

Tri ditë-netë me muzikë nga Shqipëria, Greqia, USA, UK, Italia, Indonezia, Maroku, etj në festivalin më të ri të muzikës dhe trashëgimisë “Fustanella Festival”, organizuar nga Remont Kapital , që ideon këtë festival për herë të parë duke e cilësuar “kthim tek rrënjët”.

Gjirokastra bëhet gati për një festë pa kufij të muzikës. Me pjesëmarrjen e V.I.C (Villagers of Ioannina City), një “experimental psychedelic/rock band” nga Janina; Robert Bisha – një kompozitor, multi-instrumentist dhe një improvizues në piano. Në këtë projekt ai bashkëpunon me një nga grupet frymore më të famshme të world music, Fanfara Tirana dhe Albanian Iso-Polyphonic Choir.

Të tjerë të ftuar janë Redi Hasa, Maria Mazzotta, Filastine&Nova (US/Indonesia) , Transglobal Underground (UK),The River Voices (AL), Sazet e Permetit (AL), etj. Ky festival realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.