Kulturë

Tri ekrane, nëntë dokumentarë dhe një vit histori për luftën në Kosovë

Tri ekrane do të qëndrojnë të ndezura në “DokuKino” deri në përfundim të edicionit të 18-të të “DokuFestit”.

Nëpërmjet tyre njerëzit do të kenë mundësi që të mësojnë më shumë për historinë e Kosovës gjatë vitit 1998-1999 dhe për Tribunalin e Hagës.

Ekranet shfaqin nëntë dokumentarë të shkurtër, të cilët së bashku janë të gjatë rreth një orë e gjysmë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndezja e tyre shënoi hapjen e ekspozitës “ICTY: The Kosovo Case 1998-1999”. Përmes tyre, prej së martës pasdite, tregohet se si ka filluar konflikti në Kosovë e si shpërtheu në luftë.

Shpalos gjykimet në Tribunalin e Hagës, i cili atëherë ka qenë aktiv për shkak të luftës në Bosnjë dhe Kroaci, e që për shkak të kompetencës territoriale ka përfshirë edhe Kosovën.

Në këta dokumentarë tregohet si kanë filluar hetimet, cilat kanë qenë sfidat për të hetuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë apo edhe se si janë planifikuar këto krime.

Njëra nga videot tregon disa prej vrasjeve masive që kanë ndodhur në Kosovë. Po ashtu ka edhe pamje ku flasin të mbijetuarit dhe dëshmitarët.

E përveç tyre tregohet edhe për mënyrën se si shteti i Serbisë ka bërë fshehjen e provave për krimet e kryera në Kosovë.

Ndërsa katër videot e fundit fokusohen më shumë në pesë raste që Tribunali i Hagës i ka proceduar kundër Slobodan Milosheviqit, Vlastimir Gjorgjeviqit, Nikola Shainoviqit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)