Kulturë

‘Java e Albanologjisë’ nisi në Prishtinë, kritika gjuhës së shtypit

Descriptive Text

Mëngjesin e së mërkurës në Institutin Albanologjik në Prishtinë, nisi Konferenca Shkencore ‘Java e Albanologjisë’. Sivjet ‘Java e Albanologjisë’, do të përmbajë gjithsej pesë sesione duke sjellë kumtesa të ndryshme të akademikëve, profesorëve dhe njohësve të albanologjisë. Krejt kjo ngjarje mes shumë miqsh, dashamirëve e ministrit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, filloi me fjalimin e drejtorit të Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, Hysen Matoshit.

Ai në fjalën hapëse të sivjetme të kësaj konference, u ndal të tri momentet jubilare që lidhen me Institutin Albanologjik, me veprimtarinë dhe arritjet e tij disadekadëshe. Fillimisht u ndal tek 50 vjetori i Institutit Albanologjik, tek akademik Idriz Ajeti, jetën e të cilit e quajti një jetëshkrim i ngritjes arsimore e shkencore të shqiptarëve dhe së treti tregoi se sivjet shënohet 55 vjetori i botimit të revistës shkencore ‘Gjurmime Albanologjike’, transmeton kultplus.

“Kjo konferencë është ideuar si mundësi dhe si nevojë e zhvillimit të të gjitha disiplinave themelore albanologjike, ndaj edhe është konceptuar në pesë sesione që do të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve. Sesioni i gjuhësisë ka përzgjedhur temën bosht “Gjuha e shtypit”, studiuesit e letërsisë do të flasin për dramën shqipe, folkloristët janë fokusuar te roli i kolanës ‘Visaret e kombit’ për studimet e folklorit shqiptar, etnologët do të diskutojnë për trashëgiminë kulturore në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të turizmit, ndërsa historianët do të marrin në shqyrtim historikun e lëvizjeve të popullsisë në trojet iliro-shqiptare. Besojmë fuqishëm se 114 kumtesat e parapara për këtë konferencë do ta begatojnë fondin e studimeve albanistike, do t’i zgjerojnë këndvështrimet studimore, do të sjellin qasje moderne metodologjike dhe përfundimisht edhe rezultate të reja shkencore si një kontribut i çmueshëm për avancimin e mëtejmë të studimeve shqiptare”, tha para të pranishmëve Matoshi.

Pas përfundimit të këtij fjalimi, pra pas hapjes zyrtare të ‘Javës së Albanologjisë’, tashmë veç u hapën punimet e konferencës. Sesioni i parë ishte Seanca e parë e Gjuhësisë me temën ‘Gjuha e Shtypit’. Në këtë sesion i pari që nisi të lexoi kumtesën e tij ishte Qemal Murati me temën ‘Gjuha e shtypit dhe norma gjuhësore’. Qemal Murati, u ndal tek gjuha e shtypit, duke treguar se ka shumë prurje të reja që duhet kontrolluar. Ai tha se sot shqipfolësit komunikojnë me medie të shumta audioviziove, më shumë se asnjëherë më parë dhe marrin shumë informata nga shtypi i shkruar dhe ai i folur me një gjuhë të vështirë që s’mund të kuptohet. “Mediet vazhdojnë me shkeljen e normës gjuhësore, me fjalë të huaja të cilat nuk i njohin as vetë përdoruesit e tyre në medie”, theksoi Murati.

Ndërsa Shefkije Islamaj lexoi kumtesën me titullin ‘Krijimet rastësore ne medie’.

“Në këtë kumtesë do të tërheq vëmendjen në një proces pak a shumë të ri linguistik të krijimit të fjalëve në gjuhën shqipe. Fjala është për një lloj shkrirje fjalësh në një fjalë të vetme si strukturë e sisemantikë. Një bashkim fjalësh sipas analogjisë me kompozime dhe me fjalët e përbëra, pra është fjala për një ngjitje fjalësh ose ngjitje segmente fjalësh në një fjalë të vetme. Fjala është e tipit ‘fonetika’ e krijuar nga fjala fol dhe etika...pra ky bashkim fjalësh e segmente fjalësh sjellin një fjalë të tretë që është kombini leksikor dhe somantik i këtyre fjalëve. Kjo gjë nuk po ndodhë vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhë të tjera”, tha Islamaj.

Në këtë seancë, kumtesën e tij me titull ‘Mirëmëngjesi Kosovë-Mirëmëngjesi Shqipëri ose përfillja e mospërfillja e normës letrare në radiotelevizionet shqiptare’, e lexoi edhe Emil Lafe. Ai kritikoi ashpër Radio Televizionin Shqiptarë në lidhje me emisionin e mëngjesit, emision ky me emër të njëjtë me emisionin e mëngjesit të RTK-së.

“Tema ime merr shkas nga një krahasim i dy titujve të dy emisioneve që jepen nga Radio Televizioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë. RTK e ka nisur më herët këtë emision ndërsa RTSH e ka nisur në tetorin e vitit të kaluar. Duket sikur është emërtimi i njëjtë por ka një ndryshim të vogël. Në RTK është Mirëmëngjesi Kosovë ndërsa në Tiranë e kanë quajtur të tepërt atë ‘i’ dhe e kanë lënë Mirëmëngjes Shqipëri. Kjo më shtynë në këtë gjë që të them se ky shembull tregon se udhëheqësit e emisionit në Kosovë e përfillin normën letrare, kanë bindjen se gjuha letrare duhet mësuar kurse në RTSH mendojnë që gjuha letrare është ashtu siç e flasin ata dhe nuk ka diskutim. Në fushën e kulturës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ka probleme të përbashkëta por ka edhe probleme të veçanta që tashmë janë vënë në dukje”, theksoi Emil Lafe.