Kulturë

Petrit Halilaj çon në Korenë e Jugut kujtimet e fëmijërisë

Prishtinë, 1 gusht - Petrit Halilaj ka dërguar skulptura të hekurta nga seria e tij “Abetare (Fluturat)” në Korenë e Jugut. Nëpërmjet tyre ai shpalos kujtimet e fëmijërisë. “A Shiver in Search of a Spine” titullohet ekspozita në galerinë “Arario” në Seul. Përveç artistit Halilaj, atje po paraqitet edhe arti i tre artistëve, Sol Calero, Kasia Fudakowski dhe Zora Mann. Pjesë e kësaj ekspozite janë 25 vepra, përfshirë instalacione, skulptura dhe piktura. Njëlloj si artisti shqiptar, edhe tre artistët veprojnë në Gjermani dhe janë pjesë aktive e skenës ndërkombëtare të artit, shkruan sot Koha Ditore.

Në komunikatën për media është thënë se ekspozita “A Shiver in Search of a Spine” synon të krijojë një kanal të ngushtë, por të gjatë komunikues që lidh hapësirën kohore midis Koresë dhe Gjermanisë.

Në kuadër të serisë “Abetare(Fluturat)”, që ka filluar në vitin 2015, artisti kosovar ka zhvilluar një numër të veprave që lidhen me shkollën e tij në vendlindje. Pjesë e tyre është një film, materiali i të cilit bazohet në objekt të një shkolle në vitin 2010, para se ajo të shembej, skulptura të shumta dhe instalacione. Halilaj në “Abetare(Fluturat)” dokumenton kujtimet e tij dhe të fëmijëve të tjerë në këtë shkollë.

“Halilaj shpëtoi tavolinat e shkollës dhe ka përsëritur mbishkrimet mbi to për të krijuar skulptura më të mëdha dhe vizatime. Një manifestim i lojës dhe imagjinatës, veprat janë gjithashtu edhe memorizimi i artistit për fëmijërinë dhe të kaluarën e tij”, thuhet në komunikatën për media për ekspozitën që është hapur më 11 korrik dhe do të jetë e qasshme për publikun deri më 5 tetor.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)