Kulturë

Ta lexosh historinë si biografi

Gjatë rrokullisjeve të saj të çrregullta, kohë pas kohe, qëllon që historia të përmbledhë esencën e një epoke të tërë, në jetën e një njeriu të vetëm. Dhe çfarëdo roli të ketë në shoqëri, ai që mbart fatin e një epoke historike si fatin e tij, sido të jetë ajo epokë, s’mund të jetë tjetër veçse fatkeq. Në mikrobotët individualë, tragjedia e kahershme e njerëzimit, e quajtur prej tij histori, përkthehet fatalisht në fatkeqësi. Mosha mesatare e një njeriu, është kursi i këmbimit në bursën e historisë. E kur brezat e njerëzimit përkojnë me brezninë e njeriut, historia mund të lexohet si biografi, shkruan sot Koha Ditore.

Image

Gjatë gjysmës së dytë të shekulli XX, shqiptarët kanë përjetuar disa nga politikat më të përçudnuara të diktaturave komuniste. Veçantësitë historike të një populli duket se i prodhuan fatkeqësi të veçanta në histori atij. Dikur kufi mes Lindjes bizantine dhe Perëndimit roman, pastaj kufi mes Lindjes islamike dhe Perëndimit kristian, Shqipëria u bë kufi mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist. Megjithëse të radhitur mes popujve fitues të Luftës së Dytë Botërore, madje si i vetmi popull që arriti të çlirohej nga nazi-fashizmi pa ndihmën e aleatëve, shqiptarët u ndanë nga kjo luftë.

Më shumë se një e treta e shqiptarëve mbetën jashtë Shqipërisë, në trevat e tyre të pushtuara nga Serbia që ajo i përfshiu në Jugosllavi. Kjo ndarje degëzoi dy histori shqiptare në historinë e komunizmit. Njëra në Shqipërinë e regjimit të Enver Hoxhës dhe tjetra në Jugosllavinë po komuniste të Josip Brozit. Në Shqipërinë e Hoxhës, shqiptarët jetonin një nga izolimet më totale, ndërkaq në fqinjësi të tyre, në Jugosllavinë e Titos, shqiptarët përjetonin një nga politikat më diskriminuese dhe shtypëse. Për gati gjysmëshekulli, herë aktivisht dhe herë pasivisht, shqiptarët u rropatën në një rol grotesk dhe absurd në dramën e madhe të komunizmit. Eliminime, burgosje, përndjekje, gjyqe politike, shtypje, diktaturë, izolim, arratisje, paranoja, varfëri, vrasje, kolektivizim, shtetëzim, risk-im, agjenturë, propagandë dhe diskriminim, të gjitha këto në emër të komunizmit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)