Kulturë

“BeerFest Kosova” nis me këngë dashurie e rrahje

Descriptive Text

Prishtinë, 26 korrik – Pa u bërë tri orë prej hapjes, në “BeerFest Kosova” ka pasur punë për policinë dhe për pjesëtarë të kompanisë private të sigurimit. Së paku gjashtë persona, të enjten mbrëma rreth orës 22:30, janë përfshirë në një përleshje, në natën e parë të edicionit të nëntë të kësaj ngjarjeje. Dy veta janë lënduar. Derisa këngëtari shqiptar Alban Skënderaj i ka kënduar dashurisë, midis publikut është krijuar një hapësirë ku pjesëmarrës në këtë ngjarje janë përgjakur. Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka shoqëruar të përfshirët në rrahje.

“Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion 6 persona. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, është thënë nga Zyra për media e Policisë së Kosovës. Pas përleshjes, muzika është ndërprerë për të vazhduar pas nja pesë minutash. “Kam nevojë për pak muzikë”, ka kënduar Skënderaj, për ta kthyer atmosferën, shkruan sot Koha Ditore.

Përkundër rrahjes, për organizatorët, siç kanë shkruar në një deklaratë pas përfundimin të natës së parë, “atmosfera ka qenë e mrekullueshme”.

“Neve si organizatorë na vjen keq për një incident që ndodhi mes 4-5 personave të pandërgjegjshëm, e i cili u lokalizua shumë shpejt nga sigurimi dhe nga Policia e Kosovës. Festivali vazhdoi rrjedhën e vet pa pengesa të tjera deri në kohën e paraparë sipas lejes”, është shkruar në deklaratë. “Qytetarët tanë dinë të festojnë dhe të argëtohen, dhe ky festival e ofron pikërisht këtë”, shkruhet më tej, teksa kanë falënderuar edhe të gjithë të “pranishmit që festuan me dinjitet”.

“BeerFest Kosova” ka dy vjet që është larguar nga sheshi “Zahir Pajaziti” për t’u vendosur te parkingu prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Perimetri ku do të mbahet për katër net është rrethuar. Dhjetëra burra të veshur me bluza të zeza më mbishkrimin e portokalltë “Sigurim” janë vendosur në hyrje.

Më 2016, pikërisht “BeerFest Kosova” qe bërë sebep për alamet rrëmuje në qendër të Prishtinës, kur qindra njerëz kishin nisur të iknin nga sheshi “Zahir Pajaziti” nëpër sheshin “Nëna Terezë” e deri tek “Skënderbeu”, në atë që dukej qartë se ishte vrap i nxitur nga paniku. Shumë njerëz të mbledhur në qendër të kryeqytetit, në natën e parë të kësaj ngjarjeje, i ishin bashkuar “stampedos” së krijuar pasi ishte shtënë me armë.

Genta Limani nga “Modus”, që organizon “BeerFestin”, ka thënë se festivali tashmë është bërë traditë.

bende të njohura dhe DJ Promo, pasi që ‘BeerFest Kosova’ ka për qëllim që të përkrahë artistët e rinj. Këtë vit kemi rikthyer edhe artisten Vesa Luma, e cila na ka munguar për një kohë të gjatë në skenë. Grupi ‘Zhag’, Xuxi, Dafina Zeqiri e Skivi, janë disa nga emrat e artistëve që këtë vit kemi përzgjedhur”, ka thënë Limani.

“Ajo që Festivali ofron janë pije alkoolike. Ka edhe pije pa alkool, mirëpo festivali është i birrës dhe jo për persona nën 18 vjeç”, ka potencuar ajo.

Në natën e parë, përveç Alban Skënderaj kanë performuar edhe “4x4” e “DJ Eskeei”.

Mbylljen e edicionit të sivjetshëm të “BeerFest Kosova”, do ta bëjë grupi evropian “Real Tribute Red Hot Chili Peppers” i autorizuar nga rock-grupi i njohur amerikan për mbajtjen e koncerteve nëpër Evropë/Alberina Haxhiaj

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

© KOHA Ditore