Kulturë

Duoja pianistike në sinkronizimin perfekt për shembjen e kufijve

Një muzikanti kosovar i duhet viza për të udhëtuar nëpër botë. Por një vepër muzikore udhëton lirshëm.

“Vetëm duhet t’u jepet shans”, ka thënë Ardita Statovci, teksa ka prezantuar “Something for you” (Diçka për ty), shkruan sot “Koha Ditore”. E kompozuar nga Kreshnik Aliçkaj më 2006, vepra për piano me katër duar, u interpretua e parafundit në një koncert të duos pianistike “ARIADITA”.

E shoqëruar nga zvicerania Ariane Haering, Statovci e cila jeton dhe vepron në Austri, në një sallë të improvizuar koncertale, në kryeqytetin e shtetit të izoluar, dëshmoi që muzika thyen çdo kufi. Koncerti i së hënës mbrëma u mbajt për të shënuar Ditën e Evropës.

Finalja me “Second Rhapsody in Rivets” e Gershwinit, e kompozuar fillimisht për orkestër e piano, e përpunuar për katër duar nga pianisti britanik, Julian Jacobson, më 2014, solli një frymë aristokrate. Të tilla duken Statovci e Haering kur ulen pranë pianos. Dy duar, njëzet gishtërinj, vetëm një piano, sinkronizohen në një mënyrë mjeshtërore.

Pianistet sikur i koordinojnë edhe përjetimet e emocionet, qysh në hapje të koncertit me “Sonatë për piano me katër duar” të Francis Poulenc, pianistit e kompozitorit francez, muzika e të cilit njihet si diatonike - një term ky që përdoret për të karakterizuar shkallët dhe aplikohet edhe për instrumente muzikore, intervale, akorde, nota, stile muzikore dhe lloje harmonike - ka vdekur më 1963.

“ARIADITA” e cilësuar nga kritika botërore si “duo pianistike e një klasi ekstra” ka përfshirë në programin njëorësh në Prishtinë edhe veprën “Fantazi në F-mol për katër duar” të Franz Schubertit.

Audienca në Sallën e Kuqe i është nënshtruar plotësisht rrugëtimit të bukur muzikor.

Statovci e ka dëshmuar nivelin interpretues nëpër Evropë e më gjerë. Muzikantja me prejardhje nga shteti pa liri të lëvizjes - por që megjithatë e shënon Ditën e Evropës - është veç njëra prej atyre që e dëshmon për çdo ditë atë se kur vjen fjala tek arti - kufijtë thjesht nuk ekzistojnë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.