Pezullohet leja për pompë karburantesh afër galerisë së Çavdarbashës

Pezullohet leja për pompë karburantesh afër galerisë së Çavdarbashës

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 23 July 2019 08:41

Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen nëpërmjet së cilës kishte nisur puna për ndërtimin e një pike të shitjes së karburanteve.

Reagimi i institucionit lokal ka ardhur pas kërkesës që i ka paraqitur Inspektorati i trashëgimisë kulturore.

Puna për të ngritur objektin afarist kishte nisur në një parcelë në Çagllavicë të Prishtinës, të cilën e ndan vetëm rruga me oborrin e galerisë së Agim Çavdarbashës, që mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore.

Një kompani e derivateve të naftës, pas lejes që kishte marrë nga Komuna e Prishtinës, kishte nisur rrafshimin e hapësirës.

Por për ndërtime në afërsi të monumenteve duhet edhe pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ky obligim ligjor nuk ishte plotësuar. Prona që gjendet në parcelën trekëndëshe, në anën perëndimore kufizohet me rrugën e cila e ndan atë me oborrin dhe galerinë e Çavdarbashës. Në nenin e 6-të të Ligjit për trashëgimi kulturore përcaktohet se monumentet arkitekturale ruhen në të gjitha elementet e tyre përbërëse, tiparet arkitekturale dhe teknike, përderisa hapësira e mbrojtjes së monumentit përfshin secilin ndërtim ose strukturë të vlerës së pranuar brenda perimetrit të monumentit.

“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e Institucionit kompetent…”, shkruhet në këtë nen. Galeria e skulptorit pejan është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numër rendor 1033.

Familja Çavdarbasha nuk ka dashur të prononcohet lidhur me rastin. Njëri nga anëtarët e familjes i ka thënë gazetës se janë duke ndjekur rrugët institucionale në mënyrë që të respektohet Ligji për trashëgimi kulturore.

Në ditën e tetë të këtij muaji, Ministria e Kulturës kishte vlerësuar skulptorin Agim Çavdarbasha me Çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” post-mortem.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme