Komuniteti artistik paralajmëron protesta për ridestinimin e mjeteve të sallës koncertale

Komuniteti artistik paralajmëron protesta për ridestinimin e mjeteve të sallës koncertale

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 12 July 2019 21:19

Lajmi se mjetet e zotuara për sallë koncertale janë ridestinuar ka tronditur komunitetin artistik. Protestat e reagimet deri te BE-ja e kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, janë përmendur si mundësi e një kundërpërgjigjeje.

Filarmonia e Kosovës më 26 qershor të këtij viti ka mbajtur koncert në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Aty ka mbledhur rreth 2.000 veta në publik. Për ironi koncerti është mbajtur krahas ish-ndërtesës së “Gërmisë”, ku është luajtur “Simfonia 9” e Ludvig van Beethoven apo e njohur edhe si “Oda e gëzimit”. Zakonisht ky institucion interpreton në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Aty nuk mund të akomodojë më shumë se 400 veta.

Lexo edhe: Humbja e fondeve për sallë koncertale – dështim i institucioneve

Baki Jashari ka thënë se ridestinimi i mjeteve të sallës koncertale është një lajm shokues, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne nuk ia kemi bërë hyzmetin kur dihet që më institucionet e BE-së gjërat duhet t’i marrim shumë seriozisht. Natyrisht që ky lajm për komunitetin kulturor është një lajm i keq e dështim dhe turp për të gjithë ne, duke u nisur nga Komuna, Ministria e kulturës e hiç më pak faj nuk ka komuniteti kulturor”, ka thënë ai.

Sipas tij, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë rast, përndryshe “do të ndodhë sikurse herëve të tjera, ku faji do të mbetet jetim”. Ka përmendur edhe faktin se më 2013 një tjetër donacion për sallë koncertale në Pallatin e Rinisë ishte ridestinuar në Mitrovicë.

“Duhet reaguar ndaj këtij dështimi të paaftësisë sonë. Njerëzit janë duke folur edhe për protesta”, ka thënë ai.

Lexo edhe: Letra e mohuar e ministres së Integrimeve Evropiane për sallën koncertale

Protestat i ka përmendur profesoresha e pianos në Fakultetin e Arteve, Besa Luzha. Ajo ka thënë se ka folur me kolegët e saj dhe do të bëhet një mobilizim.

“Do të mobilizohemi, do të dërgojmë letër në Bruksel e Zyrës së BE-së këtu, dhe do t’i kërkojmë kryeministrit që konform procedurave që ai i ka të reagojë që t’i ndalë këto sabotime. PDK-ja direkt, meqë Dhurata Hoxha që është nga kjo parti duhet të deklarohet pse është kundër ndërtimit të sallës. Nuk e di për kë punon ajo. Kjo për mua është sabotim. Ajo nuk ka guxuar ta bëjë këtë”, ka thënë Luzha.

Klarinetisti i Filarmonisë së Kosovës, Shkumbin Bajraktari, ka thënë se pas këtij rasti uron që komuniteti i muzikantëve, Ministria e Kulturës dhe Qeveria të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të jetësuar ëndrrën e muzikantëve.

“Një gjë që e di sigurt është që ne meritojmë një sallë e cila na nderon ne dhe publikun. Është momenti i fundit që të gjitha palët të reflektojnë dhe t’ua kthejnë dinjitetin muzikantëve dhe publikut tonë që e kemi të shumtë”, ka thënë Bajraktari, i cili është edhe kryetar i Këshillit Drejtues të Filarmonisë së Kosovës.

Publikisht Zyra e kryeministrit i ka dalë në krah jo një herë Komunës së Prishtinës.

Në tetor të vitit të kaluar, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të këtij viti Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. E ka hequr pikën tre. Kishte hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse Ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente.

Më pas kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërkuar zgjidhje për sallën koncertale.

Në mbledhjen e Qeverisë më 2 prill të këtij viti, në emër të rrezikimit të fondeve për ndërtimin e sallës koncertale, Haradinaj kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës që të bëhej një zgjidhje sa i përket statusit ligjor të ish-ndërtesës së “Gërmisë”. I kishte kërkuar ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ndonjë opsion tjetër pos atij që përcaktohet me Ligjin për trashëgimi kulturore. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ishte arsyetuar me faktin që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk është funksional.

Lexo edhe: Edhe Ministria e Kulturës kishte kërkuar ridestinimin e mjeteve të sallës koncertale

Përderisa komuniteti artistik i muzikës kërkonte një zgjidhje sa më të shpejtë, një pjesë e arkitektëve ngulmuan që ish-ndërtesa e “Gërmisë” të mos rrënohej. Në këtë anë është edhe Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS). Nëpërmjet një shkrese, në prill Këshilli u ishte drejtuar institucioneve vendore e ndërkombëtare. Aty kërkohej një mënyrë tjetër për të ruajtur dhe ripërdorur “Gërminë”, dhe për ta ndërtuar sallën e re të koncerteve.

Por me humbjen e fondit të BE-së një sallë e re e koncerteve duket larg. Afër ish-“Gërmisë” e Qeverisë, sikurse më 26 qershor, Filarmonia e Kosovës do të mundë të mbajë koncerte nën qiellin e hapur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme