Moszbatimi i ligjit, shkatërrues për trashëgiminë kulturore

Moszbatimi i ligjit, shkatërrues për trashëgiminë kulturore

Alberina Haxhijaj 11 July 2019 12:39

Prishtinë, 11 korrik – Me gjithë faktin që trashëgiminë kulturore deklarativisht Qeveria e Kosovës e konsideron prioritet, gjendja e saj në terren nuk është aspak e mirë.

Kjo është theksuar të mërkurën në dëgjimin publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për trashëgiminë kulturore, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacione dhe Ndërmarrësi të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast u paraqiten edhe rezultatet e hulumtimit të përgatitur nga Sali Shoshi, drejtor i degës në Kosovë të organizatës joqeveritare “Trashëgimia kulturore pa kufij” (CHwB) me kërkesë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi të Kuvendit të Kosovës. Sipas këtij hulumtimi vërehet se pjesë shumë të rëndësishme të Ligjit për trashëgimi kulturore nuk janë zbatuar nga institucionet përkatëse.

Një prej sfidave më të mëdha konsiderohet procesi i inventarizimit të trashëgimisë kulturore. Institucionet nuk kanë arritur të ndërtojnë një databazë të konsoliduar të aseteve të trashëgimisë kulturore me informatat e nevojshme për asetin, përfshirë edhe planin hapësinor-perimetrin dhe zonën mbrojtëse. Mungesa e inventarit ka ndikuar që planet hapësinore të Kosovës, përfshirë edhe Hartën Zonale të mos ketë informata hapësinore. Si rrjedhojë, planet hapësinore të Kosovës nuk mund të sigurojnë zhvillim të balancuar të Kosovës, në të cilin trashëgimia kulturore do të ishte në thelb të zhvillimit.

“Mungesa e të dhënave për trashëgimi kulturore në planet hapësinore ka ndikuar që projektet e infrastrukturës të realizohen duke shkatërruar trashëgiminë kulturore. Për shembull autoudha Prishtinë-Han i Elezit kalon mbi një lokalitet arkeologjik në Ferizaj”, potencohet në raport.

Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor, Luan Nushi, i cili ishte i pranishëm në këtë diskutim të hapur ka thënë se një nga çështjet kryesore që po trajtohet në këtë plan hapësinor të Kosovës është trashëgimia kulturore.

“Harta e cila flet për trashëgiminë kulturore është më tepër turistike, sepse na mungojnë informatat për lokacionet. Sot nuk kemi informata për lokacionin e monumenteve të trashëgimisë kulturore arkitektonike”, ka thënë ai.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme