Skulpturat e muzeut të Agim Çavdarbashës, në prag të shkatërrimit

Skulpturat e muzeut të Agim Çavdarbashës, në prag të shkatërrimit

10 July 2019 23:15

Këto skulptura i kanë shpëtuar zjarrit në trazirat e marsit të 2004-s.

Por, krijimtaria e Agim Çavdarbashës, që ruhet në muzeun e ndodhur në Çagllavicë, rrezikon të humbet, në mungesë të përkujdesjes nga shteti.

Fondacioni që mban emrin e skulptorit, disa herë ka alarmuar për gjendjen e rëndë të veprave, por deri tani nuk është bërë asnjë hap konkret për restaurimin e tyre, raporton “Express” i KTV-së.

Veprat vazhdojnë t’u ekspozohen reshjeve atmosferike dhe rrezikut të dëmtimit nga insektet.

Krijimtaria e Çavdarbashës, në vitin 2017 u prezantuan në kuadër të ngjarjes së njohur të artit pamor, “Documenta”.

Dy kompozicione me shtatë skulptura, fillimisht u trajtuan nga dëmtimet që u janë bërë nga një lloj insekti dhe ato janë të vetmet që kanë pasur fatin të trajtohen nga ekspertët.

Me gjithë neglizhencën që i është bërë restaurimit të veprave, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në fillim të javës e nderoi Çacdarbashën me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”.

Fondacioni “Agim Çavdarbasha”, disa herë ka kërkuar ndihmë nga institucionet për ta nisur trajtimin e veprave prej druri e mermeri.

Në vitin 2018 për herë të parë, Ministria e Kulturës ndau buxhet prej 50 mijë eurosh për restaurimin e veprave dhe asokohe u tha se shpëtimi i skulpturave do t’u besohej ekspertëve vendorë.

Muzeu që ruan trashëgiminë e skulptorit të njohur, qe rihapur në vitin 2013 pas restaurimit, por objekti nuk është i hapur për vizitorë në baza ditore.

Agim Çavdarbasha u lind në qytetin e Pejës në vitin 1944 dhe veprimtaria e tij krijuese konsiderohet pjesë e themelit të artit modern në Kosovë. Ai vdiq në vitin 1999.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme